LAJMPRESS: Mexhiti, Arifi, Ostreni dhe Bejta, të besuarit e Ahmetit Mexhiti, Arifi, Ostreni dhe Bejta, të besuarit e Ahmetit ================================================================================ lajm gazeta on 28/12/2009 08:47:00 Izet Mexhiti, Teuta Arifi, Gëzim Ostreni dhe Nevzat Bejta janë nënkryetarët e rinj të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Ata u zgjodhën në këto poste në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të BDI-së që u mbajt të dielën. Në të njëjtën mbledhje Abdylaqim Ademi është zgjedhur sekretar i përgjithshëm i partisë, kurse Hazbi Lika, sekretar organizativ, funksion i ri në këtë parti. Të dielën u zgjodhën edhe 21 anëtarët e kryesisë qendrore të partisë, ku prej emrave të më të njohur nuk gjenden nënkryetari i deritanishëm Rafiz Haliti, deputeti Xhevat Ademi, si dhe funksionari i deritanishëm i lartë, Fazli Veliu. Zgjedhje e nënkryetarëve, sekretarëve dhe anëtarëve të kryesisë qendrore është bërë me propozim të kryetarit të partisë Ali Ahmeti. Burime partiake thonë se i revoltuar nga pretendimet e hapura për të marrë ndonjë post nënkryetari ose sekretari partiak, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti nuk i ka propozuar Rafiz Halitin dhe Xhevat Ademin as për anëtarë të kryesisë qendrore, kurse për të qetësuar situatën ka “sakrifikuar” edhe dajën e tij Fazli Veliu. Emra të rinj në radhët e kryesisë qendrore të BDI-së janë Atila Rexhepi dhe Fatmir Besimi, kurse pas katër viteve në kryesinë qendrore është kthyer edhe Nazmi Beqiri.