LAJMPRESS: Ahmeti s’guxon t’i ndërrojë ministrat! Ahmeti s’guxon t’i ndërrojë ministrat! ================================================================================ lajm gazeta on 15/01/2010 08:38:00 Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) duket se është i kënaqur me punën e ministrave të vet, të cilët i ka në Qeverinë e Maqedonisë. Për këtë arsye, nga BDI kishin njoftuar se nuk do të ketë rikonstruim në afatet e paracaktuara. Fillimisht ishte planifikuar që rikonstruimi të ndodhë para Kongresit të Dytë zgjedhor, por kjo u shty për një moment tjetër. Edhe pas Kongresit paralajmërimet për rikonstruim u humbën nga arsye të pasqaruara deri më tani. Analistët e pavarur politik e shohin nga prizma të ndryshëm këtë vendim të partisë shqiptare në pushtet. Publicisti Kim Mehmeti duke e kuptuar logjikën e veprimit të Ali Ahmetit, thekson me ironi se ndoshta në BDI nuk ka persona më të mirë që mund të bëhen ministra. “Ali Ahmeti nuk bën ndryshim të ministrave, ndoshta për shkak se nuk mund të gjejë më të këqij se këta që i ka. Sigurisht ai është i kënaqur dhe për këtë arsye nuk i ndërron. Sigurisht ia plotësojnë kushtet që ua kërkon ai, ndaj përfaqësuesve të vet në qeveri edhe s’ka nevojë të bëjë ndryshime”, tha Mehmeti. Analisti Mehmeti thekson se ka dy arsye për të cilat nuk ndryshohen këta ministra. “Ose këta aktualët mirë e kryejnë punën, ose më të mirë se këta nuk ka. Me të tjerët do të ngelesh edhe më keq. Këta dinë të dalin në TV, ndoshta ata tjerët nuk dinë të vijnë as deri në Shkup”, tha Mehmeti. Për analistin Ismail Sinani, kjo që ndodh tani është në dëm të shoqërisë, pasi Ahmeti është pre e klaneve brenda partiake. “Përveç ministrit Bujar Osmani, të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat e BDI-së janë funksionarë që vendnumërojnë. Ali Ahmeti është pre e klaneve të ndryshme që funksionojnë brenda BDI-së. Ai nëse e ndryshon ndonjë ministër duhet të marrë pëlqimin prej të gjithëve komandantëve të degës nga ku vjen ai funksionar. Kjo e pengon zhvillimin edhe brenda BDI-së, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi”, tha Sinani. Sipas tij, nëse shikohet në interesin shtetëror, atëherë mund të dëmtohet sistemi, i cili është i dëmtuar më shumë se kurrë më parë. Analisti Albert Musliu, i jep tre arsye pse BDI nuk e bën rikonstruimin në qeveri. “Fillimisht ishte Kongresi ku u zbutën tensionet brenda partiake. E dyta, BDI i rishikoi pozicionet me VMRO-DPMNE-në dhe vërejti se nuk është në pozitë të shkëlqyer. Ky status do të gjenerojë pakënaqësi të reja dhe e treta, çdo rikosntruim është pranim i mossuksesit në dikasteret që udhëhiqen”, tha Musliu. Ai sqaron se BDI ka kërkuar që gjatë rikonstruimit të marrë disa ministri të reja dhe jo të ndryshojë vetëm ministrat në ministritë aktuale. “BDI nuk ka qasje në asnjë prej ministrive kryesore siç është ajo e punëve të brendshme, të jashtme dhe të mbrojtjes. Ministria e ekonomisë ka më pak kompetenca seç ka pasur më herët, kurse duket se transportin dhe bujqësinë VMRO nuk i lëshon”, tha Musliu. Ndryshe, BDI kishte paralajmëruar se do të bëjë rikonstruim të qeverisë në fillim të vitit 2010, por më vonë u shty në fund të janarit ose fillimi të shkurtit. Gjithashtu kishte iniciativa për koalicion me DR-në, por të gjitha këta dilema u mbyllën në mbledhjen e fundit të BDI-së në selinë në Tetovë. Atje u vendos që mos të ketë asnjë lloj koalicioni të mundshëm me DR-në dhe as mos të ketë rikonstruim të Qeverisë. Gruevski kënaqet me këta ministra! “Nëse e shikon nga prizmi i Nikolla Gruevskit, për të janë të mirëseardhur këta ministra, sepse ata duke qenë të interesuar që të mbajnë vetëm postet e tyre, i çojnë në vend të gjitha porositë e Gruevskit dhe jo të votuesve të cilët i kanë votuar për të qenë aty ku janë. Duket se Gruevski nuk është i interesuar për të ndërmarrë diçka”, tha Ismail Sinani.