LAJMPRESS: BDI rebelohet brenda Qeverisë BDI rebelohet brenda Qeverisë ================================================================================ lajm gazeta on 21/01/2010 09:04:00 Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të ndryshojë metodën e të funksionuarit brenda qeverisë që e kryeson kryeministri Nikolla Gruevski. Kryesia qendrore e partisë shqiptare në pushtet tre ditët e fundit çdo natë ka mbajtur mbledhje duke shqyrtuar rrugët se si duhet të funksionojnë në të ardhmen. Mendimet kanë qenë nga të ndryshmet, një opsion ka qenë dalja nga qeveria dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, një tjetër, ndryshimi i ministrave dhe marrja e ministrive të reja si dhe e treta padëgjueshmëri ndaj vendimeve të qeverisë që i merr VMRO pa përfilljen e shqiptarëve. Burime të BDI-së, për “Lajm” kanë pohuar se vendimi më i pranueshëm ka qenë rebelimi brenda institucioneve shtetërore. Shqetësimet e tilla të shqiptarëve në Maqedoni i ka dëgjuar edhe vetë ambasadori amerikan në Shkup, Philip Reeker. “Me Reekerin është folur hapur për të gjitha çështjet. Rreth një orë e gjysmë, Ali Ahmeti i ka treguar Reekerit se nuk vazhdohet puna në këtë mënyrë me Gruevskin dhe në të ardhmen nuk do të ketë më vetëm amin të vendimeve të tij”, tha një burim nga BDI. Ambasadorit amerikan, në selinë e BDI-së në Tetovë iu janë treguar të gjitha hallet e shqiptarëve si çështja maqedonishtes, vendosja e busteve në Shkup, ndërtimi kishës dhe xhamisë në sheshin Maqedonia, çështja e emrit të pazgjidhur dhe bllokimi për në BE etj. Hapi i parë i padëgjueshmërisë politike ndaj vendimeve të ministrave të Gruevskit është bojkotoi i mësimit të gjuhës maqedonase nga klasa e parë. Edhe pse fillimisht ky vendim u kundërshtua nga shoqëria civile, në fund mbështetje kanë dhënë edhe kryetarët e të gjithë komunave shqiptare në Maqedoni. Kundërshtimi i dytë i Ahmetit ndaj Gruevskit është deklarata se nuk ka zgjedhje të parakohshme duke hedhur poshtë kërkesën dhe pohimet e shumë partive politike se VMRO-DPMNE po përgatitet për zgjedhje të parakohshme. “Zgjedhje të parakohshme, ka kur vendi është në krizë, kur gjërat nuk ecin, siç duhet. Së paku, këto simptoma as së afërmi nuk janë vërejtur, në Maqedoni, koalicioni funksionon dhe nuk ka ndonjë shqetësim të krizës politike në vend”, tha Ahmeti pasi vendosi lule pranë përmendores së Skënderbeut. Gjithashtu, veprimtaria e BDI-së pritet të zhvillohet edhe në drejtimin e bashkëpunimit më të ngushtë me faktorin ndërkombëtar dhe korrin diplomatik në Maqedoni. Maliqi: Zgjedhje të parakohshme, i zvarrisin proceset “A do të ketë zgjedhje të parakohshme, varet nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Nikolla Gruevski, e cila mund të bazohet në rejtingun që e ka. Nëse i konvenon kësaj partie me këtë rejting, atëherë me siguri se do të krijojë klimë për zgjedhje të parakohshme sikur para dy viteve. Kuptohet, me një dëshirë për krijimin e koalicioneve të reja dhe për zvarritjen e çështjeve kruciale që kanë të bëjnë me afrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, por edhe në tejkalimin e disa sfidave që janë domethënëse në krijimin e stabilitetit institucional dhe atë ndëretnik”, tha Nazmi Maliqi, profesor universitar.