LAJMPRESS: FNDLNJ e shqetësuar nga emigrimi masiv i shqiptarëve FNDLNJ e shqetësuar nga emigrimi masiv i shqiptarëve ================================================================================ lajm gazeta on 24/02/2010 12:54:00 Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni (FNDLNJ), me seli në Kumanovë, shpreh shqetësimin e thellë me valën e madhe të shpërnguljeve të popullatës shqiptare, sidomos nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës. “Ky fluks i madh i familjeve shqiptare për emigruar jashtë, është edhe një sinjal i qartë për partitë në pushtet, sidomos asaj shqiptare – BDI-së, se ka pakënaqësi të madhe nga mënyra e politikbërjes. Tani e nëntë vite pas luftës së 2001-shit, rajoni i Likovës dhe Kumanovës ende po i shëron plagët e asaj lufte, shumica e ish-luftëtarëve të UÇK-së mbetën të pasistemuar, kurse përgjithësisht rajoni mbeti shumë mbrapa në aspekt të zhvillimit ekonomik. Kjo prapambeturi zhvillimore e këtyre rajoneve shqiptare, nxitë rininë tonë që në mënyrë kaq masive të marrin rrugët e kurbetit nëpër Evropë”, thuhet në reagimin e FNDLNJ-së. FNDLNJ gjithashtu vlerëson se shumica e atyre që kanë marrë rrugën e kurbetit, kanë rënë nën ndikimin e manipulimeve të ndryshme, me ose pa qëllime, nga ana e përfaqësuesve të agjencive turistike. Për FNDLNJ më i dhimbshëm është fakti se në këto emigrime po shpërngulen familje të tëra të reja shqiptare, me gra e fëmijë, të cilëve për një kohë shumë të shkurtër u kanoset edhe asimilimi gjuhësor dhe kombëtar. “Andaj, kërkojmë nga popullata shqiptare që të mos marrin këto hapa të pamatur dhe të treten nëpër Evropë, sikur dikur në Turqi”. FNDLNJ kërkon nga pushteti aktual në Maqedoni, që urgjentisht të përgatitë plane emergjente investuese nëpër rajonet shqiptare, para së gjithash në rajonin e Likovës e Kumanovës, në mënyrë që të parandalohet emigrimi i popullatës së re dhe e njëjta të ketë kushte dhe mundësi të jetës normale në Maqedoni.