LAJMPRESS: Me fakultet punojnë pastrues! Me fakultet punojnë pastrues! ================================================================================ lajm gazeta on 10/03/2010 08:56:00 Gjendja e shqiptarëve të punësuar në ministrinë e kulturës është e mjerueshme. Përbuzje, nënçmime, fyerje janë disa prej problemeve me të cilat ballafaqohen çdo ditë administratorët shqiptarë. Nëpunësit shtetëror me fakultete të kryera obligohen të kryejnë punë të cilat duhet t’i bëjnë pastruesit e rëndomtë. “Na detyrojnë të pastrojmë libra. Së fundmi kemi pastruar bibliotekën universitare të Shkupit. Është turp i madh kjo që po na ndodhë. Vetëm neve shqiptarëve na detyrojnë të bëjmë këtë punë, maqedonasit i shfrytëzojnë të gjitha benificionet tjera”, tha një nëpunës i kësaj ministrie që për shkaqe sigurie kërkon t’i mbrohet identiteti. Problemet nuk kanë të sosur. Kontrolli mbi ata është tepër i rreptë sa mezi kërkohet vetëm një kundërshtim më i vogël dhe t’i largojnë nga puna. “Nuk durohet më kështu. Na rrinë mbi kokë sikur të jemi armik të shtetit. Nëse një minutë vonohesh në mëngjes ose në pushimin e mesditës pason dënimi. Ndërkaq, maqedonasit asnjëherë nuk vijnë me kohë në punë dhe dalin sa herë që duan”, thotë një tjetër shqiptarë, nëpunës shtetëror në ministrinë e kulturës. Ministrja aktuale e kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska ka qenë sekretare shtetërore në këtë ministri dhe duke ushtruar presion psikik mbi nëpunësit shqiptarë, sipas të punësuarve, dëshiron të zvogëlojë numrin e tyre. Zëdhënësja Anita Jovanovska mohon se shqiptarët maltretohen. “Me sa di unë të gjithë e kryejnë punën në mënyrë korrekte. Nuk di që ndonjë nëpunës shtetëror ka pastruar libra. Secili punon atë që e parasheh ligji për nëpunësit shtetëror”, tha Jovanovksa. Numri i shqiptarëve në pozitat udhëheqëse në këtë ministri është i barabartë me zero. Asnjëri prej tyre nuk është avancuar edhe pse me vite të tëra janë të punësuar në këtë institucion. “Nuk i ndajmë dhe nuk i avancojmë të punësuarit në bazë etnike, por në bazë të përgatitjes profesionale”, tha zëdhënësja Jovanovska. Gjithashtu, shqiptarët në ministrinë e kulturës janë ngarkuar edhe më një detyrë të re. Tani do të shpërndajnë librat e përkthyer të qeverisë, pasi ministria nuk ka asnjë nëpunës shtetëror maqedonas të ngarkuar me këtë detyrë të re! Historia e nënçmimit të shqiptarëve në ministrinë e kulturës ka filluar që nga ardhja në postin e ministrit të Elizabeta Kançeska Milevska. Ajo që në fillim të marrjes së detyrës 90 për qind të administratorëve shqiptarë i kishte degraduar duke i dërguar në sektorin për pakica. Në këtë sektorë shumica e tyre nuk kanë as kompjuterë për punë. Ministria e kulturës gjithashtu është bartëse e shumë projekteve anti-shqiptare siç janë gërmimet arkeologjike në kalanë e Shkupit, projekti i vendosjes së busteve, projekti “Shkupi 2014” etj. /Bekri Ajdini/