LAJMPRESS: 'Pastrim gjelbërimi' pastrohet nga shqiptarët 'Pastrim gjelbërimi' pastrohet nga shqiptarët ================================================================================ lajm gazeta on 14/06/2010 07:55:00 Arhan Memedi dhe Skënder Bajrami janë dy shqiptarët e parë që u shkarkuan nga puna, për tu zëvendësuar me maqedonas. Ata kanë punuar me kontratë në vepër në ndërmarrjen Publike “Pastrim dhe gjelbërim” në Kumanovë, ndërsa paralajmërimet e kryeministrit Nikolla Gruevski se do të ndahen 5 mijë vendime pune, ka “detyruar” drejtorin që ti shkarkojë ata nga puna dhe në vend të tyre të pranojë maqedonas, ose siç i quan opozita ushtarë të VMRO-së. “Isha i sëmurë dhe kur shkova në punë pas tre ditëve më thanë se je i përjashtuar nga puna”, rrëfen për “Lajm” Arhan Memedi. Ai sqaron se menjëherë është lajmëruar në punë dhe u ka treguar që është i sëmurë. “Shkova si gjithmonë në punë dhe e çova edhe raportin mjekësor. Më thanë se çfarë kërkon këtu, ti vetë e ke lënë punën. I pyeta se si ka mundësi, ta kem lënë punën, kur unë kam qenë i sëmurë dhe për këtë edhe kam treguar, edhe kam dokument nga mjeku. Gjithçka ishte e kotë, madje edhe mohonin se i jam lajmëruar në telefon dhe u kam treguar, ndërsa raportin mjekësor nuk e pranonin”, thotë ai. Memedi është invalid i luftës, baba i dy fëmijëve, jeton në banesë me qira, ku paguan 70 euro qira në muaj, ndërsa vajzën e ka të sëmurë rëndë. “Ku të shkoj tani, as ndihmë sociale nuk marrim dot, se e kanë shkruar, sikur ne me dëshirë e kemi lënë punë”, thotë ai i dëshpëruar. Arhan Memedi ka punuar te ndërmarrja publike “Pastrim dhe Gjelbërim”dy vjet. Që kur ka nis me punë, i kanë thënë se për pas gjashtë muajve do t’ japin vendim pune. “Vendim nuk më dhanë as pas gjashtë muajve dhe as pas dy vjetëve. Ndërsa maqedonasit që kanë nis të punojnë aty për dy muaj kanë marrë vendime”, thotë Memedi i dëshpëruar, duke shtuar se tashmë ka mbet në mes të rrugëve. Ai mendon se shkak i shkarkimit të tij nga puna është zëvendësimi me ndonjë person tjetër të afërm të VMRO-së. “Sa ma merr mendja më kanë heq nga puna për të vendosur të vetët”, thotë ai. Të njëjtin fat me Memedin ka pësuar edhe Skënder Bajrami i cili është hequr nga puna për të njëjtën arsye. “Thanë se do japin vendime, prandaj na heqin neve nga puna”, thotë Bajrami, duke shtuar se edhe pse ka qenë në pushim mjekësor i kanë shkruar në dokumente se vetë e ka lëshuar punën.