LAJMPRESS: Qeveria – Asnjë cent për Likovën Qeveria – Asnjë cent për Likovën ================================================================================ lajm gazeta on 10/03/2010 09:06:00 Po të mos e kishte thënë këtë (që figuron në titull) kreu i komunës së Likovës, por në këtë formë, ta kishte shkruar gazeta “Lajm” (siç shkroi ditë më parë dy herë radhazi), nga orët e hershme të mëngjesit telefoni i redaksisë s’do të kishte pushuar së cingëruari: Ju jeni me Thaçin, ju jeni me Hysni Shaqirin, me Bardhyl Mahmutin, me këta ose të tjerët…, e shumë budallallëqe tjera të pabaza. Shyqyr Zotit, kryelikovasi Sadulla Duraku, gjatë vizitës së kryeministrit Belg në Likovë, akuzën e këtillë ia shpalosi mysafirit belg por edhe njeriut të dytë të qeverisë maqedonase Abdulaqim Ademit. “Akuza Duraku”, në vete ngërthente po të njëjtat probleme dhe anashkalimin e kreut të Qeverisë për aspektin zhvillimor të këtij rajoni të lënë pas dore nga të gjithë, dhe sidomos përfaqësuesit politikë të kësaj ane, të cilët në stilin e “harruesve të mëdhenj” për obligimet dhe detyrimet që i kanë për zgjidhjen e problemeve të elektoratit të kësaj ane, na përkujtojnë t’i shikojmë stenogramet, sekuencat filmike apo filmimet, e fjalimeve të tyre “shumë të mençura”, sikur të kenë zbuluar Amerikën! Fatmirësia në këtë “fatkeqësi” për banorët shqiptarë të rajonit të Likovës dhe Kumanovës, qëndron ne faktin se pikërisht nëpërmjet “golgotës së azilkërkuesve”, kjo çështje u problematizua dhe së fundmi, bazuar në deklarimet e ndërkombëtarëve (ambasadorit të BE-së Ervan Fouere dhe së fundmi, kryeministrit belg), do të merr trajtimin e duhur institucional. Pra, ndërkombëtarët erdhën për t’ia tërheq veshin dhe për t’i bërë me dije kryeministrit Gruevskit dhe të “dëgjueshmëve politikë shqiptarë”, se gabimi qëndron në qasjen selektive zhvillimore për rajonet e caktuara në Maqedoni, dhe se tani e tutje, prapë me ndihmën dhe insistimin e ndërkombëtarëve dhe jo shqiptarëve, ky rajon duhet të ketë intensitet të natyrshëm zhvillimorë. Me fjalë tjera, ata “haberin” ia drejtuan jo vetëm Gruevskit, qasja e të cilit kundrejt shqiptarëve çdo ditë e më tepër po rritë revoltën dhe tensionin, por edhe shqiptarëve të cilët me ngulmë duhet të angazhohen për zhvillimin e rajoneve më pak të zhvilluara, sepse këtë e kanë për borxh dhe detyrë. Ndërkombëtarët tani hapën mundësinë dhe rrugën për mundësinë e zhvillimit të këtyre rajoneve nëpërmjet rrugës institucionale, por edhe nëpërmjet menaxhimit të rajonit nga kuadro që posedojnë kapacitete intelektual-politike për thithjen e donacioneve tjera nga jashtë, të destinuara për projekte të ndryshme zhvillimore, sidomos të rajoneve rurale. Por, për të gjitha këto nevojitet një staf (ekip) profesionistësh të cilët me aftësinë dhe kapacitetin e tyre, do të dinë në radhë të parë t’i detektojnë problemet e ngutshme prioritare, të cilat rajonin e këtillë do na shtyjnë binarëve të zhvillimit. Popullata e kësaj ane shpreson se vërejtja serioze nga eurodiplomatët, do të vë në funksion mekanizmat zhvillimorë të qeverisë, që kjo e fundit ndonjë centë të derdh edhe për rajonin e Likovës. Shyqyr Zotit që ndërkombëtarëve u kujtohet për rajonin e Likovës! Ata “veprojnë” sikur ta kenë marrë mandatin nga elektorati i kësaj ane, kurse përfaqësuesit shqiptarë veprojnë me logjikën e kundërt. Këtu është dallimi ndërmjet “atyre” dhe “neve”, si shqiptarë. Dashtë Zoti të prishim më në fund “ëndrrën e lezetshme” e të qenurit “alamet funksionari”.