LAJMPRESS: Partia e shtatë… ! Partia e shtatë… ! ================================================================================ lajm gazeta on 02/07/2010 07:56:00 Paralajmërimi për formimin e një subjekti të ri politik në dhjetor nga Rufi Osmani përbën për momentin lajmin e ri të kësaj periudhe. Ngjarjet e ndryshme nuk kanë munguar assesi, por megjithatë edhe ky lajm përbën një farë ngjarjeje në se do të ndodhë. I paralajmëruar gati 6 muaj më herët ky mbase është edhe një test për opinionin publik se duhet hyrë apo jo në këtë aventurë të re. Që kur fitoi postin e kryetarit të komunës, shumë analistë parandjenjë se ambiciet e Rufi Osmanit nuk do të ndaleshin aty, por pas një ngrirje disa mujore të kësaj çështjeje, ajo ka marrë jetë përsëri. Këto ditë është dhënë ngacmimi i parë publik i cili sigurisht dhe normalisht do të duhet të shoqërohet edhe me mjaft hapa të tjerë. Demokracia liberale e konsideron si një çështje mjaft pragmatike krijimin e subjekteve të reja politike, pasi shtohen ofertat , mundësitë e zgjedhjeve dhe alternativat. Prandaj e parë në rrafshin e teorisë së politikës, kjo është krejtësisht e pranueshme. Tjetër krejt është çështja në planin praktik. Në se kjo parti që do krijohet është pjesë e një oferte të re për qytetarët dhe e një profili të munguar, sigurisht do të jetë një vlerë më shumë, por në se do të kemi një recidivizëm të subjekteve ekzistuese, atëherë kjo do të jetë një lodhje më shumë për qytetarët. 3 parti parlamentare dhe 3 jashtëparlamentare deri tani kanë krijuar një kakofoni të tmerrshme politike dhe nuk kanë arritur asnjëherë që nëpërmjet mirëkuptimit të domosdoshëm të artikulojnë në një zë të vetëm interesat dhe shqetësimet e 800.000 shqiptarëve të Maqedonisë. Sigurisht që 6 subjekte, në disa raste kanë qenë edhe më shumë por nuk i kanë rezistuar kohës, janë mjaftueshmërisht të bollshëm për të përfaqësuar interesat e popullsisë shqiptare, për t’u bërë interlekutore në marrëdhënie si me faktorët politikë maqedonas, ashtu edhe me ato ndërkombëtarë. Por megjithëse 6 , ata përsëri kanë qenë pak se të konfliktuar me njeri-tjetrin dhe me akuza të ndërsjella, kanë defaktorizuar veten, po edhe ata që kanë përfaqësuar. Programet e këtyre subjekteve pothuaj në shumicën e tyre dërmuese ngjajnë me njëra –tjetrën dhe duhet një vëmendje e madhe për të parë dallimet. Po kështu ata më së miri bëhen garant përpara çdo palë zgjedhjesh se do të realizojnë premtime që i derdhin pa kursim dhe nuk ngurrojnë të fajësojnë më shumë se çdo kënd subjektet e tjera shqiptare. Mes partive politike shqiptare ka patur përplasje që kanë vënë gjithnjë në komoditet qeverisës subjektet maqedonase dhe në vështirësi serioze komunikimidhe kuptimi faktorët ndërkombëtarë që na monitorojnë. Shija e përplasjeve të brendshme tek lidershipi politik shqiptar ka lënë gjithnjë një shije të hidhur dhe realisht ajo çfarë pritet të sjellë partia e shtatë që do krijohet, pak optimizëm mund të garantojë. Sigurisht nuk ka pse ajo të ngrihet mbi paragjykime, por profili politik i iniciatorit të saj tanimë kalon përmes një verifikimi praktik. Në se në zgjedhjet që kaluan, Rufi Osmani u votua edhe për hir të një stature të krijuar nga e kaluara që lidhej me ngjarjet dramatike të vitit 1997, viti 2010 është një vit krejt tjetër dhe shumë i largët me atë të cilit i referohet historia e bujshme e kryekomunarit të sotëm të Gostivarit. Në se në qytetin ku ai drejton sot, vijon të flitet më shumë për ish –kryetarin se sa për aktualin, garancitë e besueshmërisë për të ndërtuar një subjekt politik të munguar të skenës shqiptare vihen shumë në pikëpyetje. Cilado qoftë oferta e re politike që do të sjellë subjekti që pritet të celebrohet para vitit të ri, kjo ofertë duhet të ketë marrë një miratim publik në Gostivar, një miratim publik të prekshëm dhe që të ketë krijuar entuziazëm. Në se ky entuziazëm mungon, ose ka filluar të zbehet nga ai që pritej, nisma i ngjet zgjidhjes së problemeve të kryetarëve që krijojnë në mënyrë të shtrënguar parti dhe jo të partive që lindin si domosdoshmëri e mungesës së alternativës dhe e ofertës së re. Deri tani nuk kemi asgjë, vetëm se do të krijohet një parti, e cila sigurisht që do premtojë në startin e saj shumë më tepër se ekzistueset. Në publikun e lodhur shqiptar, ku rejtingu po u bie pothuaj çdo ditë 6 partive ekzistuese, vështirë se do të ngjisë edhe një subjekt i ri, pa një identifikim të qartë të vlerave të atyre që do formojnë ekipin, të provave që kanë dhënë, të mesazheve të reja që do përcjellin dhe të formës se si do t’i ofrojnë garancitë e besimit. Problemi nuk është se po krijohet edhe një parti, problemi shtrohet se sa e besueshme dhe e vërtetë do jetë ajo dhe mbi të gjitha sa të sinqerta janë motivet që e krijojnë. Në se ajo krijohet për të zgjidhur problemin e protagonizmit personal të një njeriu, ajo mbetet pa të ardhme, por edhe një sherr i ri për shqiptarët në mes vetes. Në se do të jetë ndryshe, duhet t’ia urojmë mirëseardhjen!