Hyrje | Intervista | S’ishte lehtë t’i heqim vizat!

S’ishte lehtë t’i heqim vizat!

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Sekretari i parë shqiptarë shtetërorë në ministrinë e punëve të jashtme të Maqedonisë, Abdulkadar Memedi gjatë një interviste për “Lajm” ka sqaruar vështirësitë për heqjen e vizave Shengen, rritjen e përqindjes së shqiptarëve në këtë ministri dhe mbylljen e problemeve të Maqedonisë në kontestet e hapura me shqiptarët.

 

LAJM: Fillimisht u propozua se më 1 janar, për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi do të liberalizohen vizat për hyrje në Evropë, ndërsa më vonë me kërkesë të Sllovenisë u propozua që vizat të hiqen nga 19 dhjetori. Çfarë mendoni ju, cili do të jetë vendimi edhe i Këshillit të ministrave të cilët duhet të japin verdiktin përfundimtar?

Memedi: Keni të drejtë në konstatimin tuaj se banorët e Republikës së Maqedonisë sipas të gjitha gjasave do të fillojnë të udhëtojnë lirshëm pa viza në shtetet e BE-së, gjegjësisht në zonën e shteteve të Shengenit. Propozimi i Sllovenisë, nga Parlamenti Evropian më 12 nëntor 2009 u pranua me rezolutë që Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi t’i liberalizohet regjimi i vizave Shengen. Pjesë përbërëse e kësaj Rezolute është edhe Deklarata e përbashkët e Parlamentit Evropian në të cilën thuhet se Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi i kanë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, me çka edhe u mundësua ndryshimi me kohë i Rregullores 539/2001 dhe se qytetarët e këtyre shteteve nga 19 dhjetori 2009 do të udhëtojnë lirisht në shtetet e BE-së. Në këtë kontekst shpresoj që Këshilli i Evropës edhe formalisht do të e aprovojë këtë vendim, pa diskutim. Njëherësh dua të apostrofoj se pas liberalizimit të vizave Shengen do t`i përkushtohemi edhe liberalizimit të vizave me shtetet tjera.

LAJM: Maqedonia ka kontekst me Greqinë për çështjen e Emrit. Më 7 dhjetor, Komisioni Evropian duhet të jap raport, ku do të vendosë nëse Maqedonia do të filloj negociatat për hyrje në BE. A do të kemi zgjidhje me Greqinë? Si do të bëhet kjo? A do të ketë referendum për emrin?

Memedi: Maqedonia intensivisht është e përkushtuar për një zgjidhje të kontestit të emrit, i cili do të jetë i pranueshëm për qytetarët e Maqedonisë si dhe për Greqinë. Me intensifikimin e kontakteve të çdo niveli, deri më Samitin e dhjetorit të Unionit Evropian, do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona që të arrihet ndonjë zgjidhje, e cila nuk do ta bllokojë fillimin e procesit të negociatave për anëtarësim. Nëse arrihet deri te zgjidhja e pranueshme, organizimi i referendumit është mënyrë e vetme me të cilën populli do të shprehet për një çështje qenësore.

LAJM: Maqedonia duket se e para i ka mbyllur çështjen e demarkacionit të kufijve. Megjithatë, disa politikanë në Shqipëri kanë paralajmëruar se mund të hapet dosja e Shën Naumit në Ohër. A mund të lindin konflikte të reja?

Memedi: Maqedonia është shteti i vetëm në Ballkan, i cili i ka kufijtë e definuar dhe të demarkuar. Ky konstatim, nuk del vetëm jashtë një spekulimi dhe nuk mendoj se kjo çështje mund të jetë arsye për konflikt. Kjo bazohet në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve fqinje. Në momente kur Fondet IPA për bashkëpunim ndërkufitar ndahen me të madhe, diskutimi mbi Shën Naumin është jashtë teme dhe i panevojshëm.

LAJM: Jeni sekretari i parë shtetëror shqiptar në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ). Sa është përfaqësimi i shqiptarëve në këtë ministri dhe si qëndron vendosja e tyre nëpër pozita udhëheqëse brenda hierarkisë së Ministrisë?

Memedi: Përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në Ministrinë e punëve të jashtme është në rritje permanente. Numrat tregojnë se sot përfaqësimi proporcional dhe adekuat i shqiptarëve sillet rreth 20 për qind. Për shkak të specifikës së punës së Ministrisë së punëve të jashtme përfaqësimi i bashkësisë shqiptare sipas vijës vertikale, gjegjësisht strukturave udhëheqëse, është variabël për arsye se diplomatët dërgohen në përfaqësitë diplomatike konsulare dhe kthehen në ministri sipas titujve të njëjtë siç kanë shkuar.     

Mund të konstatoj se sipas Kolegjiumit, i cili është trup më i lartë udhëheqës nën udhëheqjen e Sekretarit shtetërorë, marrin pjesë tre drejtorë nga gjithsej 12 struktura më të larta udhëheqëse. Nga kjo mund të llogaritet se përfaqësimi është rreth 25 për qind. 

Në kontinuitet punojmë në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve edhe në strukturat tjera udhëheqëse.

LAJM: Sa ambasadorë shqiptarë nga Maqedonia kemi në shtetet e huaja. Në përqindjen proporcionale, a është i mjaftueshëm ky numër i ambasadorëve?

Memedi: Maqedonia ka gjithsej 54 përfaqësi diplomatike-konsulare. Numri i ambasadorëve shqiptarë është 10 sosh, ndërsa së shpejti do të emërohen edhe dy konsuj gjeneralë shqiptarë, dhe numri i përfaqësimit do të arrijë në 22.22 për qind. Në rritje e sipër është edhe struktura e eshalonit të dytë nëpër përfaqësitë diplomatike-konsulare.

Ka Ambasada të Maqedonisë ku i gjithë personeli është shqiptarë.

 

 

Vizat, qëndrim 90 ditësh brenda 6 muajve

“Dua të sqaroj se liberalizimi i vizave nënkupton qëndrim 90 ditësh brenda 6 muajve. Kategoritë e nënshtetasve tanë të cilët kanë interes për qëndrim më të gjatë me baza dhe arsye tjera, si punësimi dhe shkollimi, qëndrimin e tyre duhet ta rregullojnë në pajtim me rregullat ekzistuese. Potencoj se të drejtën e udhëtimin do ta gëzojnë vetëm shtetasit që posedojnë dokumente udhëtimi biometrike, kurse ata që kanë pasaporta të vjetër do të udhëtojnë në BE vetëm po qe se kanë vizë valide”, tha Memedi.

Subscribe to comments feed Komente (2 publikuar):

dati në 30/01/2010 15:33:50
avatar
abdulkadri pse ati i heke vizat a , mos mu kan evropa ty skishe muj me be azgje , mos u livdo e puno bene nje veper te mir pa ndonje te jashtem vet bane punen.
Thumbs Up Thumbs Down
0
E verteta në 30/11/2009 08:42:24
avatar
Vec nje permiresim te genjeshtres se Abdylkadrit, ne MPJ nuk ka tre persona udheheqes(Drejtor sektori). E verteta eshte se ne MPJ nuk ka asnje Drejtor sektori me vendim pune, por jane dy qe e ushtrojne detyren pa vendime, pra ilegalisht (dhe kjo ndodh vetem per shqiptaret).Edhe pozita e Abdylkadrit (sekretar shteteror) nuk eshte ne rangun e drejtoreve te sektoreve.Pra prej 12 drejtoreve ne MPJ shqiptar ka baraz me zero, pra asnje (perqindja eshte zero 0%).Per fat te keq edhe pse tash kemi ne poziten e sekretarit shteteror "shqiptar", pozita e shqiptareve ne MPJ dhe vendimmarje eshte katastrofale.
Thumbs Up Thumbs Down
0
total: 2 | Treguar: 1 - 2

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0