Hyrje | Intervista | Simiq: Ja si mund të afrohen Serbia e Kosova

Simiq: Ja si mund të afrohen Serbia e Kosova

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Predrag Simiq, profesor në fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, dhe ish-diplomat, thotë për BBC-në se orientimi i Serbisë dhe Kosovë për t'u integruar në Bashkimin Evropian është shans që Beogradi e Prishtina të zhbllokojnë marrëdhëniet mes tyre.

Ai tha se ky ndoshta është rasti i vetëm që në rrugën e integrimit evropian të bëhet një përpjekje për të gjetur një zgjidhje kreative

Me zotin Simiq bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se si e shikonte paralajmërimin e presidentit serb Boris Tadiq se për shkak të Kosovës nuk do të marrë pjesë në takimin rajonal në loaklitetin Bërdo në Slloveni?

Simiq: Beogradi tashmë ka bërë të ditur se zyrtarët e tij nuk do të marrin pjesë nëpër takime në të cilat përfaqësuesit e Kosovës marrin pjesë nën shenjën që është dallon nga "UNMIK-Kosovo". Kjo ndodhi edhe me rastin e inaugurimit të presidentit kroat, Ivo Josipoviq, dhe me siguri kjo do të ndodhë edhe tani. Se në ç'masë kjo do të sjellë pasoja për Serbinë dhe për bashkëpunimin e saj, për momentin kjo ndoshta është më kryesore që shtrohet nga të gjithë dhe është evidente se problemi i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit po bëhet problem i bashkëpunimit rajonal në Ballkan.

BBC: Domethënë, ju prisni, sikurse thoni, pasoja?

Simiq: Po, pasoja do të ketë për shkak se bashkëpunimi rajonal në Ballkan është parakusht për hyrjen e të gjitha shteteve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Dhe, kjo sigurisht se do të shtyhet derisa nuk gjendet zgjidhje për këtë problem, pra për problemin se në çfarë mënyre do të komunikojnë Beogradi e Prishtina.

BBC: Zoti Simiq, nuk janë të rrallë politikanët serbë të cilët kur flëasin për Kosovën, flasin si për një "Jerusalem serb". Si e shikoni këtë, duke marrë parasysh edhe faktin se pavarësia e Kosovës është njohur nga 65 shtete dhe nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian?

Simiq: Se si shikon Beogradi çështjen e njohjes së Kosovës dhe si po sillet, kur është fjala për njohjen e Kosovës, mendoj se kjo është e qartë dhe në këtë aspekt diplomacia serbe po bën çmos që ky numër të jetë sa më i vogël. Kjo është diçka për afat të shkurtër, mirëpo
problemi që nuk u zgjidh as me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe as më parë është çështja e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, respektivisht e serbëve dhe shqiptarëve. Kjo çështje ishte në rend të ditës, nuk u zgjidh, nuk është zgjidhur as sot dhe mendoj se kjo sjellë pasoja të caktuara. Sepse, thjesht, kjo situatë është e paqëndrueshme. Në instancë të fundit, përshtypja që u krijua me mungesën e presidentit serb në inaugurimin e presidentit kroat Josipoviq, u përmirësua deri-diku me takimin shumë të përzemërt të presidentit Tadiq, ministrit Jeremiq dhe funksionarëve të tjerë serbë, me zëvendëskryeministrin e qeverisë së Shqipërisë, Ilir Meta, me çka mendoj se edhe u dëshirua të tregohet se Beogradi është i gatshëm për një lloj komunikimi, por brenda kufijve që ai i çmon si të pranueshëm, para së gjithash të pranueshëm për arsye të brendshme.

BBC: Kur është fjala për këtë konflikt kosovaro-serb, ish-kryeministri serb Vojislav Koshtunica, nga mediumet e Beogradit citohet të ketë deklaruar se Kosova,"kurrë nuk do të mund të bëhet shtet, por është vetëm një grabitje dhe uzurpim i përkohshëm me ndihmën e fuqive të huaja". Profesor Simiq, sa e di, ju angazhoheni për një fleksibilitet më të madh të politikës serbe. Mund të jeni më konkret?

Simiq: Mendoj se kufijtë e fleksibilitetit i ka vendosur presidenti Tadiq kur deklaroi se Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës as në mënyrë eksplicite e as implicite që, në shikim të parë, mund të duket si qëndrim i ngurtë, por duke marrë parasysh se kjo deklaratë u bë pas deklaratës së Ministrit të Punëve të Jashtme Vuk Jeremiq i cili tha vitin e kaluar në Budapest se nëse njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë kusht për hyrje në Bashkimin Evropian, Serbia do të heqë dorë nga kjo. Deklarata e Tadiqit prapëseprapë paralajmëron gatishmërinë për njëfarë fleksibiliteti të caktuar. Madje edhe nuancat e caktuara në deklaratat e zyrtarëve serbë paralaljmërojnë gatishmërinë për një dialog të caktuar.

BBC: Çfarë dialogu, kur të dyja palët mbajnë qëndrime krejtësisht të kundërta?

Simiq: Në këtë moment është një problem i madh se cila do të ishte tema e këtij dialogu, duke marrë parasysh këtë që sapo e thatë e këto janë qëndrimet diametralisht të kundërta të Beogradit e Prishtinës për pavarësinë e Kosovës. Ndoshta mundet që në këtë moment, dhe ky është vetëm spekulimi im, të gjendet një pikë e caktuar që qëndron edhe në Planin e Ahtisarit që parashikon lidhje speciale të komunave serbe në Kosovë me Beogradin. Gjithashtu, këto kohët e fundit po përmendet shumë, edhe unë po e përmendi, po ua rekomandoj një artikull në gazetën Danas të Beogradit në të cilin ofrohen katër modele që sot ekzistojnë në botë e që mund të japin ide të caktuara, jo të kopjohen, por të ofrojnë ide të caktuara se si mund të duket, kur t'i vijë koha, dialogu mes Beogradit e Prishtinës. Disa përmendin Kinën dhe Tajvanin, disa raportin mes Izraelit dhe autonomisë palestineze. Ambasadori gjerman Ishinger qysh në tetor të vitit 2007, gjatë negociatave të fundit mes Beogradit e Prishtinës në Vjenë, ofroi një dokument prej 14 pikash të mbështetur mbi përvojën gjermane, respektivisht të politikës së kancelarit Brant për marrëdhëniet mes Gjermanisë Lindore e Perendimore, kurse kohë më parë e dëgjuam edhe ambasadorin britanik në Beograd, zotin Votsfort, i cili tha diçka që mua më duket shumë interesante se frymëzime dhe ide të caktuara mund të gjenden edhe në raportet mes Londrës, Dublinit dhe Belfastit, pra Britanisë, Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut.

BBC: Dhe ju mendoni se të dyja palët mund të gjejnë gjuhë të përbashkët?

Simiq: Nëse problemi i marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, problemi i Kosovës, është i zgjidhshëm, mendoj se ky moment ka për të ardhur shumë shpejt, duke marrë parasysh se Serbia ka paraqitur kandidaturën për në Bashkimin Evropian, supozoj se edhe Kosova shkon në po të njëjtin drejtim. Nga përvoja ime ky ndoshta është rasti i vetëm që në rrugën e integrimit evropian të bëhet një përpjekje për të gjetur një zgjidhje kreative . Asgjë spektakolare nuk duhet pritur, por një zgjidhje të caktuar që do të zhbllokonte këto marrëdhënie.

BBC: Kjo që sapo e thatë a mund të lidhet me turneun rajonal të komisionerit evropian për zgjerimin, Shtefan Fule. Ishte në Beograd, do të vizitojë edhe Prishtinën?

Simiq: Natyrisht, sepse në këtë moment i gjithë rajoni i Ballkanit Perendimor ndodhet në rrugë drejt Bashkimit Evropian. Nga Brukseli, për herë të parë pas 20 vjetësh, vijnë fjalët se Ballkani është në krye të listës së përparësive dhe mendoj se ky është një rast që sigurisht se do të duhej ta shfrytëzonin edhe Beogradi e Prishtina, edhe serbët e shqiptarët, sepse nuk besoj se brenda një kohe të shkurtër do t'u ofrohet ndonjë rast më i mirë, ndaj duhet që të mundohen që ta zgjidhin në tryezë të paktën një pjesë të dallimeve të tyre.

Subscribe to comments feed Komente (2 publikuar):

ajredin në 23/12/2010 13:37:21
avatar
kosove serbi mund te bisedohet si dy shtete te pavarura ose me shkembim territoresh ku jane shumica shqiptar te bashkohen me shqiperin pra shqiptaret e maqedonis ata te kosoves lindore te qamurris dhe malit te zi kjo do te ishte zgjidhja me e drejt dhe legjitime
Thumbs Up Thumbs Down
0
hajra në 01/06/2010 16:06:28
avatar
Edhe per Kosoven nese behet kusht per te hyr ne BE nen shtetin serb ather edhe ne dot rrim pa europen edhe ashtu kurr ska ber nje gje te mir historikisht per Kosoven.Rroft Amerika per ne.
Thumbs Up Thumbs Down
-1
total: 2 | Treguar: 1 - 2

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0