Hyrje | LAJME | Rajon - Botë | Kina reagon ndaj SHBA-së për tregtinë

Kina reagon ndaj SHBA-së për tregtinë

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Kina i ka hedhur poshtë kërcënimet nga presidenti Barack Obama se do të ndërmarrë një linjë të ashpër për të siguruar që tregu kinez është i hapur për eksportetet amerikane.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Pekin, Ma Zhaoxu, i hodhi poshtë akuzat e zotit Obama që niveli i kursit të këmbimit me monedhat e huaja jepte një avantazh jo të drejtë ndaj dollarit.

Ditën e mërkurë zoti Obama tha se do të vendoste një presion të vazhdueshëm mbi Kinën dhe vendet e tjera që të respektonin anën e tyre të marrëveshjeve tregtare.

Reagimi kinez

Pekini iu kundërpërgjigj Uashingtonit duke thënë se akuza me të padrejtë dhe presioni nuk mund ta zgjidhnin problemin.

Sektorët ku ka pakënaqësi përshijnë monedhën kineze dhe shitjen e armëve Tajvanit.

Përsa i takon monedhës kineze, Ministria e Jashtme kineze këmbënguli që juani, ishte i vlerësuar në nivelin e duhur megjithë akuzat amerikane se është e kundërta.

Zëdhënësi përsëriti kërcënimin e Pekinit për të vendosur sanksione të paspecifikuara mbi firmat amerikane që i shesin armë Tajvanit.

Ky është një kërcënim që ka disa ditë që është bërë.

Korrespondenti i BBC-së në Shanghai thotë se ky është shqetësim në mënyrë të veçantë për kompaninë amerikane Boeing, që i shet armë Tajvanit, dhe për të cilën Kina është tregu më i madh ndërkombëtar.

Marrëdhëniet tregtare

Në përgjithësi marrëdhëniet SHBA-Kinë mund të përshkruhen si mes një superfuqie dhe një gjigandi në zhvillim.

Deri në vitet 1990, ekonomia amerikane u rrit fuqishëm, ndërsa ekonomia kineze mbeti relativisht në stanjacion.

Që prej asaj kohe dhe në mënyrë të veçantë gjatë dekadës së fundit, ka qënë ekonomia kineze ajo që është zhvilluar, e nxitur nga reformat ekonomike, një forcë punëtore jashtëzakonisht e madh dhe investime masive.

SHBA-ja ka një defiçit të madh tregtar me Kinën.

Uashingtoni thotë se kjo ndodh pjesërisht, sepse Kina e ka mbajtur në mënyrë artificiale të dobët monedhën e saj, duke i bërë produktet e saj më të lira jashtë vendit.

Korrespondenti i BBC-së në Shangai, Chris Hogg thotë:

"Përsa i takon çështjes së monedhës, ka njerëz që janë jo vetëm në Amerikë, por edhe në Bashkimin Evropian që do të ankohen për Kinën, ekonomia e të cilës e ka marrë veten më shpejt dhe më fuqishëm sesa ekonomitë e tjera në botë."

"Për shkak se e ka mbajtur monedhën e vet të lidhur me dollarin që është dobësuar, kjo do të thotë që monedha e saj është dobësuar në një kohë kur ekonomia e saj është duke ecur më mirë, sesa në vendet e tjera."

"Natyrisht që ka ekonomistë në shumë vende të tjera në botë që do ta mbështesnin këtë," thotë korrespondenti i BBC-së Chris Hogg.

Serioziteti i përplasjes

Përplasjet për tregtinë mes të dyja vendeve nuk janë të pazakonta. Për këtë rast të fundit mund të thuhet se ka filluar në muajin shtator, kur SHBA-ja vendosi tarifa shtesë mbi eksportin e gomave kineze.

Pekini e denoncoi këtë masë si proteksioniste dhe e shikonte si lëshim të presidentit Obama ndaj grupeve amerikane të interesit, sesa një reagim legjitim ndaj diçkaje që kishte bërë gabim.

Tensionet mes SHBA-së dhe Kinës janë rritur në disa drejtime; për shitjen e planifikuar të armëve Tajvanit, një vizitë në SHBA të Dalai Lamës dhe njoftimet për sulme në internet ndaj faqeve amerikane.

Drejtori i Shërbimeve Kombëtare të Zbulimit në SHBA, Dennis Blair, tha:

"Pekini ende beson se SHBA-ja është duke u përpjekur ta kontrollojë, transformojë shoqërinë e saj dhe të përforcojë shqetësimet e tyre për stabilitetin e brendshëm, për sfidat e perceptuara ndaj pretendimeve të tyre për sovranitetit."

"Kina vazhdon të rrisë shpenzimet për mbrojtjen. Përgatitjet për një konflikt në Tajvan me përfshirjen e SHBA-së, vazhdojnë të dominojnë modernizimin dhe planet e tyre rezervë dhe ata janë vazhdimisht të preokupuar për të të mbrojtur interesat e tyre globale," tha zoti Blair.

Korrespondenti i BBC-së në Shangai e shikon kështu seriozitetin e kësaj përplasjeje:

"Këto përplasje të ndryshme, përplasja për tregtinë, shqetësimet lidhur me vizitën e Dalai Lamës, shqetësimet për lirinë në internet, debati për Tajvanin, individualisht nuk kanë gjasa ta dëmtojnë shumë marrëdhënien, por sëbashku ato mund të shkaktojnë dëme serioze", thotë Chris Hogg. /bbc/

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0