Hyrje | LAJME | Kulturë | Poet i dashurisë dhe mallit për vendin dhe vashën

Poet i dashurisë dhe mallit për vendin dhe vashën

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font

Mr.Petrit FETAHU

Agron Sela,së pari e dëshmoi veten si atdhetar, i cili si student i viteve ‘80 në Prishtinë qe në radhët e zëngritësve të flakët protestues e liridashës për të kërkuar të drejtat tona kombëtare që shtypeshin egërsisht nga sllavoshovenistët jugosllavë,ndaj u ndoq dhe u burgos si shumë të tjerë patriotë që prangoseshin e torturoheshin me represalje çnjerëzore dhe dënime drastike,ndaj si plot të rinj,mandej, qe i detyruar të ndërpresë rrugën e diturisë aq të deshiruar dhe t’i bashkangjitet karvanit të gjatë të refugjatëve për t’u hudhur matanë oqeanit bashkë me nostallgjinë e lektisjen që e ndoq vazhdimisht.Mirëpo me paraqitjen e vëllimit të tij me poezi “Këngë në heshtje”Agron Sela na bind e dëshmon se është edhe mjeshtër i vargut të ngjeshur poetik me diapazon përfshirës kuptimor e ideor dhe evokimet t’i shtrojë me ndjejshmëri emocionale.Botën e tij shpirtërore e preokupojnë dy trazira intuitive që mishërohen në çdo varg e që ia zgjojnë kredon dhe kreativitetin,që qendrojnë në koherancë dhe bëhen determinant imanent të poezisë së tij,dashuria ndaj vendit,kombit dhe dashurisa ndaj vashës.

 

Dashuri e përgjeruar

Reminishenca ia zgjon invencionin intenziv dhe e ekciton te sjellë tablo të periudhës djaloshare dhe “lojën” e dashurisë të mbushur plot emocione dhe sinqeritet,me shumë finesa sensitive,që kur e sheh ajo i zgjon afekte dhe “ia përplas valët në krahëror.Skena të tilla janë të shumta e kolorite,që nga momenti kur ishin plot shend gjer kur poeti është I mbushur me dëshpërim. Raportet e tij me vajzën janë të përcjellura me plot imazhe e skena që na shletojnë momente të afrimit dhe të qenë bashkë në përjetime që poeti i evokon me ndjejshmëri kënaqësie dhe mallëngjimi,të cilat kanë lënë vrragë të pashlyer,duke i përqendruar persiatjet në çdo gjymtyrë dhe mirësi fascinuese,si te “fjalët mjaltore,”buzët e mrekullueshme” etj. që poeti i përjeton thellë, i “fut në zemër”dhe i “hapin dritë syve e shpirtit të tij”që i opservon në vargje apsenuese.Portreti i saj jepet përmes paraqitjes sublime për të dhënë një femër të përsosur dhe ideale në çdo aspekt fizik,”nur rrezellues” si dhe të tipareve psikike-morale dhe etike,”plot gaz e shend” që e bëjnë t’i japin jetë dhe e mbushin me dëshirim të”derdh dashuri pafund” e “puthje pambarim”Reminishenca na zbulon mjaft çaste të retrospectives, kur poeti është bashkë ma vashën,kur”valët e saja përplasen në gjoksin e tij shkëmbor” që zgjojnë sensibilitetin dhe identifikojnë çaste të emocioneve subtile të tyre:Zemra ime e mahnitur i sheh,/Të mjaltosura duke notuar,/Nëpë buzët tuaja të mrekullueshme,/Për të gatuar ëmbëlsinë e dashurisë./

Erotika e tij i përgjan një albumi me fotografi lirike të moshës rinore të futura në muzeumin poetik nga kujtimet kohë pas kohe që përmbajnë dramën e dashurisë,entuziazmin,çastet e lumtura,por më vonë ai zjarr dhe afsh i vashës zbehet,shuhet,që poetit i shkakton dëshprim,ekzalltim,dhembje,demoralizim,ngase “zemra s’e hap gojën,fjalët kanë ngrirë” që sjellin luhatje dhe ftohje në raportete tyre.

“E unaza në gisht dridhet e vibron,/Nga ethet të ftohta/Së dashurisë/E paska mbërthyer një grip i forte/.Ajo që karakterizon këtë motiv është pasioni origjinal me ndjenja të brumosura që shkreptijnë fuqishëm e indetifikojnë shpirtin e poetit të dashuruar dhe të dhemshëm.

 

Patosi patriotik

Atdheu,vendlindja,Dibra janë shpërthim I ndjenjave të fuqishme patetike,plot emfazë që krahërori i tij i ka akumuluar duke qenë larg dhe që shpërthejnë posi vullkani për të derdhur llavë e malli të dashurisë për to,që janë “frymë të shpirtit” që e mbajnë gjallë.

Poezia e A.Selës arriti realisht dhe qartë të reflektojë atë periudhë të rëndë politike të represaljes, të diskriminimit dhe shovenizmit ndaj popullit shqiptar brenda territorit të vet që e tipizon dhe karakterizon si “kohë e akullt”kur “fjalët prangoseshin e nuk njomnin thatësinë e shpirtit nën grila”’ndërsa “zemrat këndonin rreth kandilit të dijes”;siç e ndjeu dhe e përjetoi,kur shpata e mprehtë e të huajve në vendin e tij të aneksuar ia ndërprenë këngën e diturisë,pasi deshte drejtësi dhe gjakun e vet,që i solli vuajtje,persukutim dhe degdisje.Por ai s’u zbraps,përkundrazi u bë ferrë në sytë e tyre të nxirrë,që i dhanë elan,guxim,trimëri e optimizëm.Regjimin e identifikon në përbindësh,që ka “dorën e ftohtë”,por ai beson se era e grohtë e demokracisë do t’ia “zbardh sytë” dhe do të sjell triumfin dhe realizimin e aspiratave të popullit tone:Përbindëshit ende i pëlqen nata,/Se drita e ditës ia zbardh sytë/bukurinë njerëzore mbyt./

Poezia e tij gjurmon dhe depërton në fenomene të kohës,situatave të atëhershme shoqërore për të zbërthyer devijime individuale që nga mendjelehtësia e mediokriteti ndërrojnë kësulën sa here të duan,u venë bisht mbiemrave e përdorin fjalë të huaja,e”gjuha plagë merr”me qellim t’i bind për “gjuhën tone të bukur.”Akuza e tij është atakuese,fshikullon ashpër dhe fuqishëm ndaj këtyre servilëve,shpirtrobëve e puthadorëve të pushtetit që i venin etiketat,komprimitimet për lakmi egoiste dhe për pozita karieriste e përfimime të tjera,humbin dinjitetin,moralin dhe dëmtonin karakterin nacional,ndaj irritimi i poetit është i dukshëm dhe i papërmbajtur:” Vëlla i im i pashëm, , Ti shëmton vetveten, Me bishtin e mbiemrit tend.

Ajo që e dallon më së shumti poezinë e A.Selës është patosi atdhetar,mbrojtja me ngulm e idealeve dhe vlerave patriotike,ndaj madhëron trimat flijues të betejave me”shpresë të ngjallin ëndrën e këputur”,por edhe ideologët të tjerë zulmëmëdhenj si Josif Bageri,Jusuf Gërvalla,Irfan Kaloshi etj. që poeti u thurr lavde,epitete,me të cilët mburret për qendresën,sakrificën,flijimin,”për të çare hijet e kohës”,për të “hapur dritën e histories”,për të “sjellë erën e lirisë” dhe për të “hapur derën e fjalës”.Për të dashuria e vatanit është mbi të gjithë dashuritë,duke iu përmbajrur modelit të poetit hungarez Petefit:”Për dashurinë jap jetën,për atdheun jap edhe dashurinë.”Dashuri jetë pa kufi,/Që të kalit të dashurosh./Të pavdekshmen,/Vetë fryma e shpirtit që mban,/Është atdheu./

Ca vargje janë të mpleksura edhe me vendlindjen e tij,Dibrën dhe Krifcën,stërgjyshin e tij Limani dhe me të gjithë banorët e vendasit,për të dhënë krenarinë dhe mburojën e tyre përballë armikut,që kurrë s’u nështruan edhe pse tri here u sulmuan nga sërbët e bullgarët,tri here ato troje u dogjën,u shkrumuan dhe u shndërruan në arenë të tragjikë dhe të çfarrosjes,sa lumi Radikë u mbush me gjak,rrëke lotësh,gra të veshura me të zeza dhe “derë e hidhur e mërgimit”,përsëri si feniks u ngritën “kala mbi jetese.”

Por,ajo që autori ve në dukje është malli zhuritës i tij për vendlindjen,por edhe deshprimin dhe demoralizimin ngase është e ngrysur,e ftohët,e acart,jo për shkak të stinës së dimrit,por ngase është e zbrazët,bosh nga njerëzit,”ninullat nëpër djepa rrallë dëgjohen” e vatrat kanë mbetur pa rini.Ky imazh e djeg,i shkakton pikëllim se “dallgët e detit e shtynë udhën pa kthim.”Ktheu i përmalluar,/Si zog në shtegtim,/Qyteti qenka zbrazur,/Eci rrugëve,/Si ushtar i kthyer pas beteje./Ndaj lëshon mesazhet për të kërkuar angazhimin e të rinjve në përvetësimin e dijes,diturisë dhe arsimimin duke u balafaquar me ata që pengojnë e hudhin gurë në përvetësimin e këtyre vlerave,por edhe ndaj rinisë pasive,indeferente që”i len vitet të treten në tymin e duhanit dhe ashtu ia burgosin atdheut shpresën dhe jetën”,që bën poezia të ketë rol funksional e angazhues për të vetëdisuar brezin të vehet në rol të përgjegjshëm dhe aktiv në shoqëri

Ashtu si titulli e veprës “Këngë në heshtje dhe vargjet e vëllimit janë të qeta,melankolike në erotikë,por edhe te revolta nuk ndjehet shpërthimi eruptiv,krisma e flakë,pakënaqësia dhe urrejtja fshehet në nëntekst.Por,ajo që e veçon këtë përmbëledhje poezish dhe e lartëson nga aspekti artistik dhe stilist është semantika e dendur me simbole dhe metafora të bollshme,me asociacione të kapshme e të qarta.P.sh.gjoks shkëmbi,zemër me tallas,jeta rrudhet,qeleshe malesh,fytyra e detit,nata,drita,përmbindësh e shumë figura të tjera të efektshme e funksionale që na bindin për afinitetin dhe intuitën krijuese që po ta kultivojë më tutje do të na japë vepra edhe më me vlerë.

Subscribe to comments feed Komente (1 publikuar):

albanka në 22/04/2010 09:37:17
avatar
Autori i shkrimit do te jete me i sukseseshem po te kete parasysh keto te meta:-tejzgjatjet e panevojshme,-perdorimin e fjaleve te huaja,-mosbarazpesha midis mendimit dhe ndjenjes ne analizim dhe shume mangesi te tjera...
Thumbs Up Thumbs Down
-3
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0