Hyrje | LAJME | Kulturë | Kontributi i Dervish Himës në Kongresin e Dibrës

Kontributi i Dervish Himës në Kongresin e Dibrës

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Nebi DERVISHI

Nga fundi i shek. XIX elementë përparimtarë turq, shumica e të cilëve kishin kryer shkolla të larta në Evropën perëndimore, që e quajtën veten të rinj ose xhonturq (nga gjuha frënge: zhën-tyrk), krijuan në Stamboll një komitet të fshehtë të quajtur “Ittihad ve Tariki” (“Bashkim e Përparim”) dhe filluan të punonin kundër regjimit absalutist të sulltanit. Turqit e rinj synonin të vendosnin një regjim kushtetues dhe të ndërmerrnin disa reforma që do ta forconin Perandorinë Osmane përballë ndërhyrjeve të huaja.

Turqit e rinj ishin kundërshtarë të autonomisë së popujve të shtypur të perandorisë, por pakënaqësinë e tyre kundër regjimit të sulltanit ata e shfrytëzuan për qëllimet e veta. Kështu, për të siguruar një mbështetje sa më të gjerë për lëvizjen e tyre, turqit e rinj u premtuan popullsive të shtypura se do t’u njihnin disa të drejta kombëtare dhe do t’i mbronin nga ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha.

Në fillim të vitit 1908 në Maqedoni filloi revolucioni i turqve të rinj, i cili, në sajë të mbështetjes që gjeti në mesin e popujve të shtypur, veçanërisht të popullit shqiptar, përparoi shumë shpejt dhe si rrjedhojë e detyroi sulltan Abdyl Hamitin II që më 23 korrik të vitit 1908 të riaktualizonte dhe të shpallte të ligjshme kushtetutën e vitit 1876, të njohur në histori me emrin “Hyrijeti” (“Liritë“). Kjo, njëherit, shënonte edhe fitoren e revolucionit xhonturk dhe rënien e regjimit shumë të urryer të sulltanit.

Ashtu si gjithë popujt e Perandorisë Osmane, edhe populli shqiptar e priti me gëzim të papërshkruar shpalljen e kushtetutës ose “Hyrijetit”. Ai shpresoi se tani do t’i siguroheshin liritë politike dhe barazia që i ishin premtuar. Por, në të vërtetë, xhonturqit synonin ta forconin Perandorinë Osmane duke e centralizuar edhe më tej pushtetin qendror, duke ruajtur e forcuar sundimin mbi popujt e shtypur. Në fillim, për sa kohë që nuk e kishin forcuar ende pushtetin e tyre, xhonturqit bënë disa koncesione dhe u njohën përkohësisht disa të drejta kombeve të shtypura.

Patriotët shqiptarë, pa hequr dorë nga synimet politike, shfrytëzuan me shpejtësi liritë e kufizuara që u krijuan me shpalljen e kushtetutës. Ata punonin me ngulm për përhapjen e arsimit e të kulturës kombëtare dhe për bashkimin e popullit. Për këtë qëllim, patriotët, menjëherë pas revolucionit, filluan të krijojnë klube patriotike, të hapin shkolla kombëtare dhe të botojnë gazeta e libra shqipe.

Klubet ishin organizata demokratike që bashkonin në gjirin e tyre atdhetarë të shtresave të ndryshme. Shumë shpejt ato u kthyen në qendra kryesore për organizimin dhe drejtimin e lëvizjes kombëtare. Klubet bashkëpunuan edhe me shoqëritë patriotike të shqiptarëve të mërguar dhe bashkërisht mbrojtën me vendosmëri interesat kombëtare. Pranë tyre u krijuan edhe komitete të fshehta që do të organizonin veprimtarinë politike dhe lëvizjen e armatosur.

Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kulturore, hapja e shkollave dhe botimet e shumta në gjuhën shqipe shtruan si nevojë të ngutshme përpilimin e një alfabeti të vetëm për shkrimin e shqipes në vend të disa alfabeteve që vazhdonin të përdoreshin. Për të zgjidhur këtë çështje, por dhe çështje të tjera të lëvizjes kombëtare, u mendua të mbahej një kongres i posaçëm. Nismën për thirrjen e tij e mori klubi shqiptar “Bashkimi” nga Manastiri. Rezultat i kësaj pune ishte mbajtja e Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908) ku morën pjesë 50 delegatë nga qytete të ndryshme dhe nga klube e shoqëri patriotike nga brenda dhe jashtë vendit. Vendin kryesor në punimet (seancat) e kongresit ezuri çështja e alfabetit. Pas shumë diskutimesh, me gjithë dëshirën e madhe që ekzistonte, nuk u arrit të caktohej një alfabet i vetëm, por u miratuan dy të tillë: alfabeti i Stambollit, i praktikuar dhe i propozuar nga Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip e Stambollit dhe një alfabet tjetër, i përbërë vetëm nga shkronjat latine. Meqenëse ky i fundit ishte më i lehtë e më praktik për shkrim dhe botim edhe në vende të huaja, pa kaluar shumë kohë, u bë alfabeti i vetëm unik i gjuhës shqipe.

Kongresi i Manastirit nuk ishte, thjesht, një mbledhje gjuhësore, por një kongres politik e kombëtar. Aty u vendos që klubi i Manastirit të shërbejë si qendër për të gjitha klubet shqiptare. Krahas mbledhjeve të hapura u zhvilluan edhe mbledhje të fshehta në të cilat u diskutua gjerësisht dhe u miratua një program kombëtar prej 18 pikash. Programi përmbante kërkesa me karakter politik, ekonomik dhe kulturor, siç ishte edhe kërkesa për njohje zyrtare të kombit shqiptar dhe të gjuhës shqipe.

Reaksioni xhonturk ndaj lëvizjes kombëtare shqiptare shtohej dita-ditës. Në maj të vitit 1909 turqit burgosën disa anëtarë të klubit “Labëria” në Vlorë sepse kishin zhvilluar aktivitet të dendur kombëtar. Po në maj të 1909-ës, në Selanik, u mbajt Kongresi Xhonturk ku u shqyrtua çështja e zhvillimit të kulturave kombëtare të kombësive joturke në perandori dhe solli vendim që të mbyllen të gjithë gjimnazet në të cilat nuk zhvillohej mësimi në gjuhën turke. Sa u përket lëvizjeve kombëtare të kombësive joturke dhe kërkesave të tyre për autonomi, Kongresi Xhonturk vendosi që të njëjtat të shtypen me masa të rrepta represive ushtarake. Për shqiptarët kongresi vendosi që të paguajnë taksa të rënda, të çarmatosen dhe kullosat e tyre të shndërrohen në banesa të rëndomta.

Turqit e rinj më së shumti i frikësonte çështja e autonomisë së Shqipërisë, prandaj, vendosën që me forcë t’i detyrojnë shqiptarët të nënshtrohen. Vendimet e Komitetit Qendror të Kongresit i kishte shqyrtuar edhe Komiteti i Vilajetit të Shkupit, i cili gjithashtu kishte vendosur që shqiptarët të çarmatosen dhe kundër tyre të merren masa të jashtëzakonshme.

Për realizimin e këtyre vendimeve ripërtërihet ekspedita e Xhavit Pashës, e cila në vitin 1909 u detyrua të ndërpritet për shkak të ngjarjeve në Stamboll. Në mes të muajit maj të vitit 1909 ekspedita do të vazhdojë për t’i shtypur shqiptarët e Kosovës dhe të Lumës. Qëllimi i vazhdimit të ekspeditës së Xhavit Pashës ishte demonstrimi i fuqisë ushtarake nga ana e xhonturqve dhe frikësimi i masave të gjera popullore shqiptare. Por, ndodhi e kundërta. Më 12 qershor të 1909-ës shqiptarët kryengritës sulmuan repartet turke në Qafën e Morinës. Pas luftimeve të ashpra ushtria turke u detyrua të tërhiqet në Gjakovë. Për këtë kohë deputetët shqiptarë e shtruan para parlamentit turk çështjen e ekspeditës së Xhavit Pashës dhe njëherit kërkuan që të ndërpritej ajo. Nën presionin e opinionit, Porta e Lartë u detyrua të tërheqë Xhavit Pashën. Konflikti i armatosur me shqiptarët dhe dështimi i ekspeditës së Xhavit Pashës e solli qeverinë turke në një pozitë tepër të palakmueshme.

Patriotët shqiptarë, pavarësisht nga përndjekjet, nga mbyllja e klubeve dhe ekspedita e Xhavit Pashës, vazhdonin aktivitetin e tyre për autonominë e Shqipërisë.

Njëri ndër atdhetarët më të dalluar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishte publicisti, patrioti dhe njeriu i pendës, diplomati i paepur dhe veprimtari i palodhshëm Dervish Hima, i lindur në qytetin e Ohrit në vitin 1875, i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Pas triumfit të Revolucionit Xhonturk të Korrikut (1908) Hima u kthye në Shqipëri ku kundërshtoi me forcë politikën antishqiptare të xhonturqve. Në vjeshtë të 1908-ës u arrestua në Shkodër nga xhoturqit, të cilët, nën presionin e atdhetarëve shqiptarë, u detyruan ta lirojnë nga burgu i Selanikut pas 4 muajsh burgimi. Pas daljes nga burgu, në gjysmën e parë të vitit 1909, Dervish Hima realizoi një udhëtim nëpër disa qytete shqiptare si në Berat, Vlorë, Korçë, Elbasan, Durrës, Tiranë etj., ku propagandoi përhapjen e ideve kombëtare dhe hapjen masive të klubeve e shkollave shqipe. Në ditët e para të korrikut gjendet në qytetin e Elbasanit dhe në bisedat që bën me njerëz të shquar ai shpreh hapur domosdoshmërinë për autonominë e Shqipërisë si të vetmen mundësi për shpëtimin e saj. Deklaratat e tij kishin shkaktuar shqetësim te pushteti, ndërsa frika se qeveria do të merrte masa kundër elbasanasve, ashtu siç kishte marrë kundër kosovarëve, ishte e madhe. Droja bëhej akoma më e madhe kur dihej fakti që pushteti tani më i kishte arrestuar shqiptarët më të shquar nga Struga, Ohri, Kërçova etj. dhe dukej qartazi që planifikonte dëbimin e krerëve të Lëvizjes Kombëtare.

Të dekurajuar nga mossuksesi i ekspeditës së tyre në Kosovë dhe nga fuqizimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, turqit e rinj zgjodhën metoda tjera për t’i luftuar shqiptarët. Ata, në mënyrë perfide, duke deklaruar se gjoja janë të pa interesuar për zhvillimet që ndodhnin në Shqipëri, angazhuan një pjesë të klerikëve myslimanë shqiptarë dhe forca të tjera antikombëtare shqiptare për të penguar zhvillimin e mëtejshëm kulturo-arsimor të shqiptarëve, duke konsideruar se në këtë mënyrë do t’ia presin hovin zhvillimit të mëtejshëm të vetëdijes kombëtare dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përgjithësisht. Duke e ditur se klubet shqiptare ishin bërë qendra të zhvillimit të vetëdijes kombëtare, turqit e rinj vendosën mbylljen e tyre. Në korrik të vitit 1909 në parlament aprovohet vendimi për mbylljen e klubeve shqiptare, vendim që shkaktoi zemërim të madh në Shqipëri. Klubet shqiptare shkruan një letër protestë të përbashkët dhe ia dërguan parlamentit xhonturk.

Masat e xhonturqve për forcimin e pushtetit qendror të Perandorisë Osmane si dhe përpjekjet e tyre për t’i turqizuar e asimiluar shqiptarët u kundërshtuan nga popullata shqiptare. Në pranverën e vitit 1909 shpërtheu kryengritja popullore në Malësinë e Gjakovës, e cila u përhap më pas edhe në viset tjera të Kosovës e Dibrës dhe vazhdoi deri në vjeshtë të vitit 1909.

Patrioti dhe ideologu i Lëvizjes Kombëtare, Dervish Hima, në intervistën që i jepte gazetës bullgare “Veçernja poshta” i tërhiqte vërejtjen Portës së Lartë se Shqipëria mund të qetësohej më së miri po qe se në vend të forcave ushtarake, vrasjeve dhe masakrimit të popullsisë së pafajshme, i kushton kujdes të plotë arsimit të përgjithshëm dhe ngritjes së kulturës, sepse me zgjerimin e diturisë dhe zhvillimin e kulturës shqiptarët nuk do të kenë nevojë të mbajnë armë dhe të çohen në kryengritje.

Ekspeditat ushtarake, të komanduara nga gjenerali famëkeq Xhavit Pasha, që dogjën e shkretuan fshatra të tëra të Kosovës, u shoqërua me një varg masash që xhonturqit morën kundër lëvizjes kulturore e kombëtare. Ministria e Arsimit në Stamboll urdhëroi që në shkollat shqipe, të hapura me nismë të klubeve të vet shqiptarëve, të futet në përdorim alfabeti arab për shkrimin e shqipes.

Zgjedhja e rrugës së konfliktit të armatosur me shqiptarët dhe politika turqizuese e komitetit “Bashkim e Përparim” e thelluan edhe më tej hendekun midis shqiptarëve dhe Portës së Lartë. Për të dalë nga kjo gjendje e vështirë, komiteti qendror “Bashkim e Përparim”, në ditën e njëvjetorit të shpalljes së kushtetutës, më 23 korrik 1909, vendosi të mbledhë Kongresin e Dibrës. Xhonturqit shpresonin që nëpërmjet tij të arrinin ato që nuk i përmbushën dot me ekspeditat e Xhavit Pashës, pra, t’i nënshtronin shqiptarët dhe t’i largonin nga lufta e tyre për çlirim kombëtar. Ata i dhanë kongresit karakter të përgjithshëm osman, duke ftuar përfaqësues të kombeve të tjera të Turqisë evropiane. Në Kongresin e Dibrës marrin pjesë 315-322 delegatë, shumicën e të cilëve e përbënin shqiptarët. Megjithatë, pjesa më e madhe e delegatëve ishin klerikë, turkomanë, nëpunës si dhe oficerë ushtarakë të veshur si civilë. Klubet shqiptare, duke vepruar me shpejtësi dhe në mënyrë energjike, arritën të dërgonin në Kongresin e Dibrës një grup atdhetarësh të devotshëm, midis të cilëve: Sotir Pecin, Vehbi Efendi Dibrën, Hafiz Ali Korçën, dr. Ibrahim Temon, Loni Logorin, Fehim Zavalanin, Abdyl Ypin, Aqif Pashë Elbasanin, Beniamin Nosin etj., si dhe Dervish Himën, delegat i klubit “Bashkimi” nga Manastiri dhe klubit “Shpëtimi Publik” nga vendlindja e tij-Ohri (që u formua në gusht të vitit 1908).

Për t’iu përgjigjur qëllimeve që shtruan xhonturqit dhe për shkak të përbërjes së tij, Kuvendi i Dibrës mori emrin Kongresi Kushtetues i Përbashkët Shqiptaro-Osman. Xhonturqit, ashtu siç ishte parashikuar, u orvatën t’u imponojnë delegatëve një program reaksionar, të përgatitur që më parë, thelbin e të cilit e përbënin idetë e osmanizimit dhe besnikërisë së të gjithë popujve ndaj Perandorisë Osmane. Mirëpo këto përpjekje hasën në kundërshtimin e grupit të delegatëve atdhetarë shqiptarë të cilët u shprehën për një program me kërkesa kombëtare siç ishin: shpallja e gjuhës shqipe si gjuhë e detyrueshme në të gjithë shkollat ekzistuese, emërimi i nëpunësve shqiptarë nëpër viset shqiptare, hapja e shkollave shqipe në të gjithë Shqipërinë etj.

Meritë të veçantë në këto përpjekje, pa dyshim, ka edhe Dervish Hima. Duke bërë fjalë për punimet e këtij kongresi, shtypi shqiptar i kohës shkruante: “Në krye të atyre shqiptarëve “që patën kurajo e guxim që thonë se s’duan të nënshkruajnë verbërisht ç’tu vihet përpara... ishte atdhetari ynë, zemërluani Dervish Hima.”

“Dervish Hima përveç kërkesave për zhvillimin e arsimit e të kulturës shqiptare, parashtroi edhe idenë e veçimit të kombit shqiptar nga turqit osmanllinj dhe kundërshtoi përpjekjet për t’u imponuar shqiptarëve dhe kombeve të tjera doktrinën e osmanizmit”, shkruante gazeta “Shypja e Shypnisë“ nga Sofja. Për qëndrimin e tij në kongres konsulli austro-hungarez i shkruante Vienës: “Gjatë Kongresit të Dibrës rol të rëndësishëm paska luajtur Dervish Hima, bindja e fuqishme dhe burrëria e të cilit meritojnë respektin e të gjithëve...”

Në kongres u zhvillua një luftë e ashpër midis grupit të shqiptarëve atdhetarë dhe atyre me orientim xhonturk. Oficerët xhonturq të veshur me tesha civile përdorën edhe forcën ndaj delegatëve shqiptarë. Njëri prej tyre, madje, nxori revolen dhe ia vuri në gjoks Dervish Himës. Por, as kërcënimet e as mashtrimet nuk i thyen atdhetarët shqiptarë. Në sajë të qëndresës së tyre kongresi miratoi një program tjetër prej 17 pikash, të përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë përfaqësonte programin e parashtruar nga xhonturqit me disa ndryshime, kurse në pjesën e dytë, ndonëse në mënyrë tepër të moderuar, u përfshinë disa nga propozimet e bëra nga atdhetarët shqiptarë. Këtu, përveç disa kërkesave që kishin lidhje me zhvillimin e përgjithshëm të vilajeteve të Turqisë europiane, propozohej që në Shqipëri të hapeshin shkolla fillore, të mesme e profesionale ku gjuha shqipe të mësohej “lirisht e në kufijtë e dëshiruar”. Lidhur me alfabetin me të cilin do të mësohej gjuha shqipe u tha se do të përdoreshin lirisht alfabeti turko-arab ose ai shqiptar. Një vendim i tillë i jepte reaksionit xhonturk klerikal mundësi që t’u imponojë shqiptarëve alfabetin arab. Në këtë pjesë të programit u përfshi gjithashtu edhe kërkesa për emërimin në vilajetet e Turqisë evropiane të nëpunësve që njihnin gjuhën dhe zakonet e vendit. Këto arritje, bashkëkohësit, e sidomos Dervish Hima, i shikonin si paraprirës të autonomisë e pavarësisë së Shqipërisë.

Megjithatë, Kongresi i Dibrës, i përgatitur nga xhonturqit, duke pasur në përbërjen e tij një shumicë delegatësh turkomanë e ithtarë të regjimit, ishte në thelb mbledhje osmane. Merita e Dervish Himës dhe atdhetarëve tjerë ishte se ata guxuan të kundërshtojnë programin reaksionar xhonturk dhe parashtruan në kongres kërkesa kombëtare. Sikurse shprehej shtypi, ata u dhanë xhnturqve një shuplakë, e cila, “sado e vogël dhe e dobët, ishte e mirë“.

Akademik Kristaq Prifti, me të drejtë, konstaton se Dervish Hima pasuroi skenën politike shqiptare në fund të shek XIX dhe në fillim të shek. XX në vitet vendimtare të luftës për çlirim kombëtar. Pikërisht në këtë periudhë u krijuan rrethana tepër të ndërlikuara për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare e cila u gjend ballë për ballë jo vetëm me Perandorinë Osmane, por edhe me armiqtë e rinj shumë më të rrezikshëm-monarkitë ballkanike të cilat bashkëvepronin kundër ekzistencës së popullit shqiptar dhe me çdo kusht tentonin të pengonin formimin e shtetit shqiptar. Në këto rrethana u shqua një plejadë e tërë veprimtarësh e patriotësh, midis të cilëve edhe Dervish Hima, ky tribun i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Dervish Hima, me angazhimet praktike politike dhe me shkrimet publicistike në organe e gazeta shqiptare e të huaja të kohës, me shkathtësi iu kundërvua tendencave grabitqare të shteteve ballkanike ndaj trevave etnike shqiptare. Ai konsideronte se populli shqiptar, krahas luftës çlirimtare kundër pushtetit osman, duhej organizuar të ecë drejt rrugës së progresit sikurse popujt tjerë evropianë. Këtë qëndrim parimor, në mënyrë të argumentuar, shkencërisht e politikisht, e shfaqi në memorandumin që më 12 qershor 1904 ia paraqiti ministrit serb në Paris, Milenko Vesniqit, për t’ia përcjellë ministrit të jashtëm të Serbisë Nikolla Pashiq.

Të vlefshme për nevojat e sotme të mendimit politik shqiptar janë analizat e mirëfillta për politikën shoviniste serbe e greke të cilat lexuesin e ditëve tona e vënë në dilemë se për cilën kohë ka bërë fjalë Dervish Hima. Në një artikull të botuar më 10 qershor të vitit 1915 në gazetën “Biblioteka Zëri i Shqipërisë“, që dilte në Sofje, Dervish Hima mbronte me argumente të qëndrueshme tërësinë territoriale të një Shqipërie etnike.

Më 21 maj të vitit 1928, Dervish Hima, pas një sëmundjeje të gjatë, vdiq në Tiranë me një brengë të thellë në zemër, pa realizuar ëndrrën e tij të madhe: bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Miqtë dhe bashkëmendimtarët e tij shkruan fjalët më të ëmbla për figurën e tij, por njëkohësisht eth fjalë më prekëse për këtë humbje të madhe. Dhe jo vetëm që kujtimi për veprën e tij nuk u shua kurrë, por ai, 65 vjet pas vdekjes, mori edhe mirënjohjen e merituar si patriot i devotshëm: Dekoratën e Urdhrit të Lirisë të Klasit të Parë të ndarë më 26 janar 1993 nga presidenti i Shqipërisë Sali Berisha.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0