Libër i agsholit të arsimit në gjuhën shqipe në trevën e Dervenit të Shkupit
Dr. Izaim MURTEZANI
Një ndër parimet themelore në kuadër të teorisë së njohjes bazohet në sintagmën njihe vetveten. Jo rastësisht sintagma në fjalë në trajtë të mbishkrimit qysh në Greqinë e Lashtë ka qëndruar mbi portën e tempullit të Apolonit, përkatësisht perëndisë së dritës, apo perëndisë që mishëronte urtinë, por edhe njohjen hyjnore. Mbishkrimi në fjalë i përkujtonte ata që futeshin në labirintet e brendshme të këtij tempulli se asnjëherë nuk do t’i kuptonin fshehtësitë e mistereve të njohjes, nëse paraprakisht nuk e njihnin vetveten. Kjo do të thotë se një popull i cili nuk e njeh sa duhet rrugëtimin e tij nëpër vertikalet kohore dhe horizontalet hapësinore nuk është i denjë ta ndërtojë, apo projektoj ardhmërinë e tij. Në frymën e këtij konstatimi, një filozof shkon edhe më larg duke thënë se ata që nuk e mbajnë mend të kaluarën, janë të dënuar t’u përsëritet ajo. Prologu i fakteve të sipërpërmendura, ndoshta më së miri ndërlidhet me natyrën e prezantimit të librit me titull Normalistët e Dervenit të Shkupit dhe rrethinës (plejadë pishtarësh arsimi) të autorit Baki Bakiu. Autori i librit e ka kuptuar më së miri thënien e lartpërmendur, andaj ka bërë çmos që një pjesë e historisë sonë më të re në sferën e arsimit, qoftë kjo edhe e një treve të caktuar, siç është ajo e Dervenit të Shkupit, të mos “viktimizohet”, apo të mbulohet nga pluhuri i harresës, por të ndriçohet dhe të nxirret në sipërfaqe me tërë autencitetin dhe problematikën e saj. Fatkeqësisht, trojet periferike shqiptare, në këtë kontekst edhe treva e Dervenit të Shkupit, përjetuan fatin e “vullneteve të ndrydhura”, pasi rrezet e diellit të shkollës së parë amtare të Korçës, shumë vonë depërtuan në këtë nënqiell, të etur për shkronjat e bukura të gjuhës shqipe. Autori i librit është përqendruar pikërisht në këtë kohë, përkatësisht në vetë zanafillën e lindjes së arsimit në gjuhën shqipe në trevën e apostrofuar. Kjo ishte një kohë e bujshme, e përmbushur me përplot sfida të ndryshme kur kërkohej një mobilizim më i madh i asaj shtrese të pakët intelektuale me qëllim që të hapte shtigje të reja drejt emancipimit jo vetëm arsimor, por edhe kulturor të masave të gjera popullore. Në vija të përgjithshme, literatura shkencore mund të jetë e karakterit teorik, pastaj e atij empirik dhe e karakterit teoriko - empirik. Libri për të cilin flasim i përket karakterit empirik, apo më saktë thënë atij historiko-dokumentar, pasi nëpërmjet të dhënave konkrete, pasqyrohet një periudhë e rëndësishme kohore e zhvillimit të qenies dervenase, edhe atë në një sferë shumë të mprehtë të veprimtarisë njerëzore, siç është sfera e arsimit. Autori i librit, në bazë të një procedimi të logjikshëm metodologjik, fillimisht ka dhënë një pasqyrë të shkurtër të vatrave të para arsimore në gjuhën shqipe në trevën e Dervenit të Shkupit, por edhe të kuadrit arsimor, apo më mirë thënë të rilindësve që u ra barra ta luftonin, siç thotë vetë autori i librit, “errësirën e paditurisë”. Më pas, është dhënë historiku i shkurtër i Shkollës Normale Shqiptare në Maqedoni e cila asokohe u shndërrua në një çerdhe të mirëfilltë të dijes dhe rekrutimit të kuadrit arsimor shqiptar. Ky kuadër kishte fatin që me shkronjat shqipe të Naimit, Çajupit, Fishtës, Migjenit e të tjerëve t’i ngrohte kraharorët e anasve dhe t’u hapte shtigje të reja në rrugën e gjatë drejt emancipimit arsimor e kulturor. Brenda kopertinave të librit saora shpalosen kujtimet e një kohe të përmbushur me një varg sfidash të natyrave të ndryshme, por njëherit edhe me një entuziazëm të pashoq, sidomos të bartësve të procesit edukativo-arsimor, apo më mirë thënë, të veteranëve të arsimit në gjuhën shqipe të kësaj ane. Kështu, para nesh shpaloset një galeri e tërë me figura mësuesish disa prej të cilëve nuk janë në mesin tonë e të cilët aq shumë gjakuan pas këtij profesioni, saqë tërë energjinë e qenies së tyre e vunë në shërbim të këtij misioni. Profili i mësuesit të kësaj periudhe nuk mbyllej vetëm në kornizat e ngushta të këtij profesioni, por ai i shpërthente ato dhe merrte tipare të një personaliteti të gjithanshëm që duhej të ishte i pranishëm kudo, apo në çdo segment të jetës shoqërore. Ravijëzimi i portreteve të normalistëve, përkatësisht biografia e tyre, është aq mbresëlënëse, saqë mund të themi se ajo është e karakterit inspirativ, sidomos për konditat e sotme të zhvillimit të procesit edukativo-arsimor kur ai dukshëm shënon ngecje si rrjedhojë e zhvillimit specifik nëpër të cilën kalon shoqëria jonë. Pra, në kohën kur cilësia e procesit edukativo–arsimor është zbehur dukshëm, libri në fjalë ndoshta është përgjigje më e mirë se si duhet përmbushur misioni i arsimimit të gjeneratave të reja. Shëmbëlltyra e normalistëve duhet të jetë cytëse për të gjithë ata pedagogë të sotëm të cilët i kanë kapluar ethet e plogështisë dhe demotivimit në misionin e tyre të arsimimit të gjeneratave të reja. Autori i librit edhe në aspektin formalo-gjuhësor të përpunimit të materies ka arritur të jetë në nivel të detyrës. Përmbajtja e librit veçohet me një gjuhë të stilit shkencor me fjali të shkurtra e koncize dhe të parënduara me sajesa të panevojshme sintaksore. Kjo bën që libri të lexohet me një lehtësi të veçantë dhe njëherit të jetë një literaturë e rëndësishme për të gjitha shtresat e konsumuesve. Autori Baki Bakiu nëpërmjet publikimit të librit në fjalë, i bën të përjetshëm, apo të amshueshëm të gjithë ata arsimtarë - apostuj të cilët i vunë themelet e arsimit në gjuhën shqipe në trevën e Dervenit të Shkupit duke përdëftuar se e kishin kuptuar tejet mirë përgjegjësinë që e kishin marr mbi supet e tyre. Ata në kuptimin figurativ të fjalës ishin promethej të vërtetë, pasi ua kishin rrëmbyer zjarrin perëndive me qëllim që t’ia shpërndanin popullit. Ata e meritojnë lapidarin që ua ngrit autori nëpërmjet publikimit të librit, pasi kishin zhdavaritur terrin e mesjetës dhe kishin hapur tempujt e dijes dhe progresit. Jo më kot thuhet se investimi më i madh dhe më i dobishëm është arsimimi i mirëfilltë i qenies njerëzore. Sa më shumë që kemi institucione të shëndosha arsimore, aq më e ndritshme bëhet perspektiva jonë. Arsimi është një bimë që nuk bën gjethe dhe nuk lulëzon, nëse nuk e vaditim me lotët dhe gjakun tonë. Arsimi është proces shoqëror…Arsimi është zhvillim…Arsimi nuk është përgatitje për jetë, ai është jeta vetë. Rrethi vicioz i shfrytëzimit, prapambetjes, mungesës së ndërgjegjes së lirë mund të çahet, vetëm nëpërmjet arsimimit masiv dhe cilësor të popullsisë. Ndoshta me të drejtë thuhet se ata të cilët gjejnë koncepte të bukura në gjëra të bukura, padyshim se janë të kultivuar. Për ta ka shpresë. Bazamenti i shpresës është arsimi.
-
Edhe një goditje ndaj flamurit (lexuar sot:53)
-
Pse janë të frikësuar sllavët maqedonas? (lexuar sot:43)
-
Momenti kur mendja njeriut arrin nivelin e bishave (lexuar sot:27)
-
FRI ndau çmimin “Hafiz Refik Ajeti” (lexuar sot:26)
-
Babai kryente marrdhënie seksuale me vajzën e tij me anë të dhunës! (lexuar sot:23)
-
Koalicioni i dështuar i opozitës shqiptare në Maqedoni (lexuar sot:17)
-
Vetëvendosja: një profil (lexuar sot:13)
- Pjetro Bogdano Macedono (71)
- O të mjerë dilni nga ai koalicioni qeveritar që burgos e vret shqiptar! (57)
- Pse tani Rufi Osmani? (53)
- Dashuria e ndaluar e Agron Buxhakut dhe shkupjanes Meri (53)
- Si ta mbrosh “Abazin” nga Ali Ahmeti (47)
- Partia e shtatë… ! (47)
- Politikanet shqiptar te terur nga pushteti maqedonas (46)
- Shujni-shujni se po fle zv.kryeministri! (45)
- Partia e spiunëve apo spiunët e partisë (44)
- Harun Aliu, viktima e katërt në incident (41)


Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj