Hyrje | Opinion | Mjaftë doktoruam, le të mësojmë pak

Mjaftë doktoruam, le të mësojmë pak

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Kim MEHMETI

Njeriu i paarsimuar sheh qartë dhe njeh vetëm vetvete dhe gjerat rreth tij, gjysmë i arsimuari nuk e sheh vetëm atë që shikon por edhe hijet që i duken se ecin pranë tij, ndërsa i arsimuari i mirëfilltë nuk e lodh shikimin me gjërat që ka pranë vetes, por donë t’i sheh largësitë, jeton me bindjen se gjithmonë do mbetet vetëm një nxënës që duhet të mësojë. Por, mes këtyre tri kategorive, ekziston edhe një grup tjetër i të arsimuarve, një lloj i ri i tyre që e pollën dy dekadat e demokracisë, e numri i të cilëve u rritë në përmasa të turpshme mes shqiptarëve të Maqedonisë: shkencëtarët me tituj doktorësh e magjistrash e që këto tituj i morën duke mbrojtur temat shkencore në vendkalimin kufitar të Qafë - Thanës. Aty ku "mentorët" nga përtej kufirit ua sillnin diplomat, e kandidatët e tyre ua dorëzonin punimet shkencore të shkruar në bardhësitë e dhjetëra monedhave evropiane me ngjyrë të kuqe. Dhe kështu, shqiptarët e Maqedonisë sot kanë aq shkencëtarë sa do mjaftonin për t’u kompletuar me kuadër arsimorë e shkencorë të gjitha institucionet shkencore e universitare të Ballkanit Perëndimorë. Pra, të gjithë universitetet e kësaj pjese të Ballkanit që u ngjajnë vetëshërbimeve ku mund të blesh atë diplomë që ta lejon xhepi. E me çka u krijua bindja se arsimimi nuk ka të bëjë me atë që ke në kokë dhe në bërthamën njerëzore, por me atë që ke në xhep dhe me thellësinë e tij.

Kuptohet, shqiptarët e Maqedonisë me të drejtë nguten të shërojnë plagën më të madhe që ua la dekadat e socializmit: mosmundësin të arsimohen. Pastaj shqiptarët e Maqedonisë me të drejtë nxitojnë të ngjiten në shkallën e arsimimit të bashkëkombësve të tyre në Shqipëri e Kosovë dhe duan të mos mbeten pjesa më e paarsimuar e popullit ton. Por, nga ngutja, disa nga ata, mbase harruan se plaga më e rëndë në trupin e shqiptarëve të Maqedonisë e marrë gjatë dekadave të socializmit nga mospasja mundësi të arsimohen në gjuhën amtare, nuk shërohet ashtu siç vepron i urituri – duke mos e zgjedh ushqimin dhe me gatim të ngutshëm.

Shqiptarët e Maqedonisë sot kanë në çdo lagje nga dy-tre doktorë shkencash dhe nga dhjetëra magjistra, kështu që mbase ka ardhur koha që të fillojnë të mësojnë, ka ardhur koha që disa nga këta shkencëtarë t’u kthehen librave të shkollës së mesme sa të mos duket aq qartë se janë prodhim i "katedrave" të shitblerjes së diplomave në Qafë të Thanës, Bllacë e Deve-Bair. Shqiptarët e këtushëm duhet ta kuptojnë se një inflacion i tillë i diplomave, për ata mund të ketë po të njëjtat pasoja si edhe mosarsimimi. Posaçërisht kur këta shkencëtarë bëhen ligjërues nëpër universitetet e këtushme, apo drejtues të institucioneve të pakta kulturore e shkencore. Sepse kur të arsimon analfabeti, dëmi është po aq shkatërrues sa edhe kur ta ndalojnë arsimimin. Andaj nëse deri dje ishte e domosdoshme një shfryrje e atyre që kanë pasur ambicie, por nuk u është dhënë mundësia ato t’i realizojnë me kohë, sot ka ardhur dita që ambiciet për tituj shkencorë të jenë në proporcion me atë që ke në kokë.

Se arsimimi i gjeneratave të reja të shqiptarëve të Maqedonisë sot është lënë edhe në duart e atyre që kanë doktoruar, por ende nuk kanë filluar të mësojnë, është diçka që e dinë të gjithë shqiptarët e këtushëm. Këtë e dinë edhe partitë e këtushme shqiptare, të cilat këtë brumë "shkencorë" e përdorin për t’i vënë nënë kontroll institucionet e këtushme arsimore në gjuhën shqipe. Atë që nuk e dinë as shqiptarët e këtushëm e as partitë e tyre, e që duhet thënë hapur, është vërteta se me këtë brumë mund të ngjeshësh vetëm të diplomuar të paditur. Një arsimim pa standarde vlerësuese, solli edhe deri te ajo, për shembull, që në Universitetin Shtetëror të Tetovës të ndërrohen ligjëruesit sezonalisht dhe varësisht nga partia shqiptare në pushtet. Apo në këtë universitet të kesh "komisarë partiak" që mbajnë "rendë" në punësimin e profesorëve, duke u dhënë përparësi atyre si vetvetja, atyre që marrin pagë mujore, por kurrë nuk dalin përpara studentëve, të vetëdijshëm se do përballen me studentët që dinë më shumë se profesorët e tyre.

Më në fund, sikur shqiptarët e Maqedonisë të kishin aq doktorë shkencash, aq magjistra dhe aq të diplomuar nëpër universitetet e kryeqendrave fqinje sa është numri i tyre, atëherë atyre nuk do u ndodhte kjo që është duke u ndodhur: që Gruevski t’i kullotë sikur bagëti pa bari. Pra, sikur shqiptarët të kishin aq shkencëtarë sa janë në numër, ata prej moti do ta merrnin në duar të veta edhe universitetin "Shën Cirili e Metodi" në Shkup, e jo më ato dy në Tetovës që janë bë thuajse pronë e partive politike shqiptare. Pra, sikur numri i atyre që mbajnë tituj të lart shkencorë të ishte proporcional me diturinë e tyre, shqiptarët e këtushëm qëmoti do dilnin nga gënjeshtra politike se barazia qytetare arrihet vetëm me pesë ministra në qeveri, do e kuptonin se problemi i tyre nuk është gjithaq ai se çka për ta shkruajnë akademikët shoven maqedonas, por pse ende mbetën popull "joinstitucional". Dhe ata shkencëtarë dhe elita të arsimuara do dilnin e do u thoshin partive politike: mjaftë më me këtë luftë ndërpartiake për të ardhur në pushtet që t'ia lehtësoni Gruevskit sundimin mbi ne! Do dilnin pra me ndonjë platformë të qartë politike ku do sqaronin se mbase ka ardhur koha të riaktuelizohet ideja e dikurshme e Ali Ahmetit që shqiptarët e këtushëm të kenë një këshillë koordinues që do jetë korrigjues i destruktivitetit partiak dhe do u prijë proceseve që do e çojnë përpara shoqërinë shqiptare në Maqedoni.

Nuk ka dyshim se shqiptarët e Maqedonisë mirë bëjnë që i përkushtohen shkollimit, që bëjnë çmos të kompensojnë të humburën. Por në ndërkohë, duhet ta kuptojnë se e humbura nuk kompensohet nëse nuk ke arsimim të shëndosh. Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për fakultete në çdo lagje të tyre, që të shërojnë varrën nga e kaluara socialiste, por jo institucione arsimore ku partitë i punësojnë të paaftit e tyre, jo institucione ku kryesuesit e partive i kontrollojnë universitetet nëpërmjet "komisarëve partiak". Sepse nëse vazhdon ky proces, shqiptarët e Maqedonisë do bëhen populli i vetëm që do ketë më shumë doktorë shkencash e magjistra se sa të arsimuar me shkollim të mesëm. Çka do shkojë në favor të autorit të këtij teksti.

Subscribe to comments feed Komente (27 publikuar):

ERA në 22/10/2009 19:55:11
avatar
Problemi yne eshte shume me i thelle.Ne vitet e 80 jane diferencuar arsimtaret,profesoret,puntoret qe i kane sherby shtetit pra degjenerimit te popullit te tyre dhe ata qe kane refuzuar ta bejne kete!!Sot fare ska ndryshuar kjo,shihni profesoret ne Universitetet tona,jane shqipfoles inferior deri ne dhembje,cka ligjerojne ata,cka mund te mesojme prej tyre?!Tash doren ne zemer ka edhe individ per tu pershendetur por jane te pakte!!Shumica jane spiunet e shtetit!!
Thumbs Up Thumbs Down
0
tetovari në 21/10/2009 22:51:18
avatar
Kishin ber nje aksident komunikacioni ne Tetove.Pasi qe del prej vetures shoferi i vetures se goditur si zkonisht(shqiptari)fillon te shane shoferin qe e ka goditur prej mbrapa veturen.
Shoferi i dyte i thote :me fal bre DOKTOR !po ndalu e mos um shaj.
Shoferi don te thote (DOKTORI) ndalet i habitur dhe pyet prej nga ti e din se une jam DOKTOR?shoferi që e ka goditur veturën i pergjigjet : po ne Tetove vetem une kam mbetur MAGJISTER te tjeret krejt kane DOKTORATURA.
Thumbs Up Thumbs Down
0
Merita Lutfiu në 21/10/2009 01:48:11
avatar
Kush ma mire se Z.Mehmeti mund te ua thote ne fytyre "doktorave" se sa vlejne? shum mire i krahasoji kur u tha te lexojn librat e shkolles mesme,ja sa vlejne...te jem ne vendin e tyra,do hudhja diplomen...sdij si kane guxim ende te shkojne neper universitete te japin mesim kur gjithe keto fjale drejt tyre jane???!!! respekte....
Thumbs Up Thumbs Down
0
Alban Bela në 21/10/2009 01:46:50
avatar
Une mendoj se zotni Kimi e ka gabim kete definicion!!sipas meje duhet te jete: NE PROCESIN E DIPLOMIMIT TE MESOJME!!!!Me respekt Env.
Thumbs Up Thumbs Down
0
Valon Hiseni në 21/10/2009 01:45:52
avatar
Nje dite do te vije qe te kete pazar te diturise e JO si sot qe ka pazar te Diplomave...car ceshtje kombetare me tabullarasa njerez...
Thumbs Up Thumbs Down
0
Abdulla Ameti në 21/10/2009 01:45:17
avatar
Eshte per t'u keqardhur edhe kjo. Une u preka shume heren e fundit qe isha ne Maqedoni kur i pashë se si studentet 20 vjeçarë pohonin pa u skuqur fare se "ca provimei kam dhënë me te holla, ca "me t'njofshëm" dhe ca të tjera duke qa" dhe disa nga ato u lavderoshin me ato '10tshet' pa shije qe po u jepshin studenteve. Haj medet. Kjo eshte per t'u qa!

Kam menduar se gjeneratat e reja sot tek ne do te mendojne ndryshe... mirepo, s'eshte ka i vie era, siç po shihet.
Thumbs Up Thumbs Down
0
Hamdi Qamili në 21/10/2009 01:44:32
avatar
E VERTETA ,NDONJEHER ESHTE E HIDHUR
Thumbs Up Thumbs Down
0
Blerim Krasniqi në 21/10/2009 01:43:53
avatar
shum e vertete
Thumbs Up Thumbs Down
0
Arijan Xhemil në 21/10/2009 01:42:35
avatar
Urime Kimi me pelqen menyra se si trajton problemet ne sfera te ndryshme "problemin e sheh drejt e ne sy " ne na duhen edhe politikane me kete guxim,,,,na moren ne qafe keta DR,MR-at
Thumbs Up Thumbs Down
0
Erihat në 21/10/2009 01:41:53
avatar
phaaa qfar fjlae me shummm kuptim mir eka shum kemi doktoru e jem bo nkrejt lemit kshtuh po tash duhet mi qel syt me smu se boll kemi doktoru
Thumbs Up Thumbs Down
0
1 2 3 next total: 27 | Treguar: 1 - 10

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0