Hyrje | Opinion | Ndërpritni v(kr)izat

Ndërpritni v(kr)izat

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Qerim ISUFI

Gjendem mes uratës dhe kobit, ndaj s’di si të shprehem ndaj Evropës, t’i them të lumtë Evropë apo mallkuar qofsh! Po, po, lëvizjet të cilët po ndodhin më kujtojnë kohërat e para 50 viteve, kur të moshuarit rrëfenin shkuarjen e shqiptarëve në një vend kinse mysliman, (me arritjen e parë atje ata më nuk ishin shqiptarë) më kujtohen mallëngjimet, si dhe ndotjet e dhomave nga pirjet e duhanit, rrëfimet se si ishin përshëndetur me të shkuarit në atë shtet. Disa prej tyre pohonin se një gjë e tillë fare nuk ishte kombëtare! Vallë ç’ndodhi në atë kohë, e kemi mjaftë të qartë, pra shumë familje shqiptare e zbatuan projektin e Çubrilloviçit, projekt ky i përpiluar në vitin 1936. Po, po, ajo ishte një kohë asimilimi i dhunshëm. Por, vallë tani si ta quajmë këtë asimilim, këtë zbrazje të shkollave, të qyteteve, fshatrave ...? Vallë si ta pagëzojmë këtë shitje të kafshëve, shitje të arit, ar ky i cili blihet për “qejf” e shitet për zor, e që shitja tregon hallin e madh të shitësit. Mund t`a pagëzojmë asimilim vullnetar? Kujt do t’i mësohet libri i nxjerr nga zgjua, libër ky i cili mban emrin ABETARE. Kush do t’i mbrojë vendet publike nga vendosja e “granatave”? Vallë kush do t`i thotë “jo” ndërtimit të kishës në vend të xhamisë? Apo pastaj në vend të këtyre aktiviteteve gjallëruese, do të gjejmë kohë të përshtatshme për biseda të thata me goja të lëngëta për një ardhmëri më të mirë utopike, do të bëjmë fjalë për historinë tonë të “lavdishme” do të krenohemi me pishtarë e pashallarë që të gjithë agallarë e pallavrallarë që na sollën në këtë pozitë mjerane, do të merremi me dispozita rreth shkurtimit të pantallonave, të mjekrës e të ngjashme, por para se gjithash të kota, ku prodhimi i vetëm do të jetë kotësia. Nëse vazhdohet kështu me zbrazjen e foleve të shqipes, pyesim kush do të kërkojë përgjigje se kush i merr 102 denarë në muaj, para këto të cilët janë enkas për ndriçimin rrugor të komunës së Likovës (pagesa bëhet, por ndriçimin tërësisht e mbuloi errësira)? Kush do të ruaj e valëvitë shqipen e ëmbël, shqipe kjo e cila na është përcjellë me gjak e me lot!? Ju zotërinj të cilët jeni përgjegjës për të ndaluar këtë mjerim, nëse nuk ndërmerrni asgjë, keni pyetur ndonjëherë veten tuaj nga kush do të jeni të votuar, kujdes “i ngopuri nuk ia din të uriturit”, apo nesër kush do t’ju varros, duke e ditur se ju tashmë të gjallë na varrosët!? Ndoshta, ju nuk keni kurrfarë faji, nga fakti se ju kur kërkoni diçka apo më saktë ndonjë të drejtë, ai i cili duhet t’ju dëgjojë, fatkeqësisht në momentin e duhur ministrat marrin thirrje telefonike dhe gjatë përgjigjes së thirrjes (treni kalon). Por ju, nga kjo dëshirë e zjarrtë dështake, i ndërprisni kërkesat e juaja, e kam fjalën për popullin, sepse për ju, gjithçka është në rregull. Vallë a nuk është mëkat kjo zbrazje pa mbushje? Frikohem prej realitetit aktual dhe studiues se, kjo shpërngulje është vetëm fundi i fillimit. A thua sikur të mos ekzistonte termi shpërngulje do të ndodhte e njëra gjë? Po, po, shtrati i lumit nuk e formon lumin, por, lumi e formon shtratin. Mos të harrojmë se trojet ku nënës i thuhet nënë, e bukës bukë, dalëngadalë po mjegullohen. Kujdes kur mjegulla bie në një vend, aty bishat veprojnë sipas dëshirës së tyre. Kush nga këto zbrazje, ikje, asimilime ka dobi? Për momentin mendoj se dobia e vetme shkon në adresë të agjencive turistike, pse jo në këtë rast edhe aventuristike. Dobia tjetër e cila nuk është në pah, por do të dalë në shesh, është ditëlindja dhe ditëgëzimi i maqedonasve. Deri kur shqiptaret e vegjël do të jetojnë të shoqëruar me saspens, deri kur do të pyesin, “babi cili shtet do të na japë statusin azili”, deri kur do të ëndërrojnë lojëra në gjuhën shqipe, deri kur dhe deri kur?…, ku është fundi i kësaj, edhe pse në jetë fundin si fenomen nuk e dëshirojmë aq, por në këtë rast jemi të detyruar ta kërkojmë këtë fund pa mbarim, kush i thotë pra, kësaj MJAFT. Fundi i kësaj nuk është në kutinë e Pandorës, por gjendet në një fjalë, fjalë kjo e përbërë prej katër shkronjave. Deri kur nënat shqiptare me lot në sy e të përvëluar në shpirt do t’i përcjellin fëmijët, mbesat, nipërit e tyre në një udhë pa kthim. Vallë ku është çelësi i kësaj dere e cila shumë vështirë shihet!? Lus Zotin të jem gabim, megjithatë asnjë shtet nuk e krijon popullin. Çelësi i humbur nga qeveritarët, do të jetë i gjetur nga populli. Popull ky tepër i urtë e i qetë, popull ky i cili i pret katër shkronjat e arta që nga viti 0 e gjerë te viti 1991, pastaj për të vazhduar deri te frymëmarrja e këtij momenti. Këto katër shkronja të cilat qenkan shumë të rënda për t’u shqiptuar nuk marrin më shumë kohë se pesë minuta. Fundja, nëse njëri etnikum ka probleme me: mospranimin e kishës, me gjuhën si dhe me identitetin e vetë, atëherë pse ne prapë të bëhemi kurban të kohës? Ne të cilët deri në një periudhë të afërt ishim faktorë destabilizues!!!!! Sidoqoftë, ne ose jemi faktorë destabilizues ose jemi sakrificë ekonomike. Ndërsa etnikumi tjetër është më “katolikë se vet Papa”. Për të mos lodhur më tepër lexuesin më poshtë do të sjellë dy çelësa: Një shkrimtar (Quintus Horatius Flaccus) thotë:” Carpe Diem” nëse kjo nuk ndodhë atëherë do të realizohet thënia e një Europarlamentari: bye-bye EU! Alternativë dhe zgjidhje tjetër nuk ka!

Subscribe to comments feed Komente (3 publikuar):

Xhabiri në 08/03/2010 11:57:26
avatar
I nderuari z. Isuf, keni shkruar një shkrim shumë domethënës. Ju uroj për këtë qasje tepër pragmatike të thelbit të problemit. Por, mjerisht e keqja qëndron aty se nuk ka kush e lexon,dhe edhe më mjerim ata për të cilët dedikohet e lexojnë por nuk do të mund t'ia kuptojnë moralin e shkrimit.
Thumbs Up Thumbs Down
0
Kumanovarja në 05/03/2010 19:08:45
avatar
Autor i nderuar materialin e lexova me vemendje, me pelqeu tej mase@
Ashtu eshte sic e ke paraqitur gjendjen,
te lumte, vazhdo me kete natyre elaborimi
Thumbs Up Thumbs Down
0
Optimist në 05/03/2010 13:41:44
avatar
Me pelqen thenja:
Deri kur nënat shqiptare me lot në sy e të përvëluar në shpirt do t’i përcjellin fëmijët, mbesat, nipërit e tyre në një udhë pa kthim !
Shpresoj qe kay artikull te lexohet nga Politikanet qe kan pergjegjesin e duhur!
Ne shqiptaret jemi te shtypur Politikisht, Ekonomikisht...
PROBLEMET KERKON ZGJIDHJE O POLITIKAN SHQIPTARE!
Thumbs Up Thumbs Down
0
total: 3 | Treguar: 1 - 3

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0