Hyrje | Opinion | Pas deklaratës së përsëritur të Kushnerit

Pas deklaratës së përsëritur të Kushnerit

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Gëzim PODGORICA

Replika me një gazetar serb lidhur me trafikimin e organeve zuri shumë më tepër vend në media se deklarata e përsëritur lidhur me vendosjen e dialogut e të bisedimeve midis Prishtinës e Beogradit. Kjo nuk është e vetmja që ka lëshuar ministri i jashtëm francez, ashtu si edhe diplomatë të tjerë perëndimorë. Replika ishte një reagim I menjëhershëm dhe pavarësisht etikës e cila në asnjë rast nuk ka pse të tejkalohet në komunikimin me përfaqësuesit e medias, ishte një gjykim i prerë për broçkulla që tentojnë të ndezin pa nevojë situatën. Ajo që artikulohet si trafik jo vetëm se është një fantazi në kufij ekstremë, por nuk po mundet as sot e kësaj dite të sigurojë qoftë edhe një provë të vetme që t’i japë një mundësi publike fillimit të dyshimit .Gjithçka e sajuar nuk po arrin assesi të çajë në korridoret e diplomacisë së arsyeshme. Kjo nuk është pak dhe e rëndësishme, por Kosova edhe në të ardhmen do të ndeshet me provokime të kësaj natyre, të cilat nuk do të mund t’i konsumojnë asaj performancë politike. Mirëpo pikërisht për këtë çështje që duhet të jetë deri-diku periferike, shtypi u ndal shumë më gjatë, se sa tek deklaratat e përsëritura për rifillimin e dialogut e të bisedimeve.

Normalisht që ulja në tryezë do të shënonte jo vetëm një moment të rëndësishëm emancipimi të politikës, por edhe mundësinë e gjetjes së një gjuhë te përbashkët, aq të nevojshme për dy vende fqinj. Iniciuesit dhe kërkuesit e tryezës, të cilët po e riaktualizojnë këtë temë, duhet që jo vetëm të artikulojnë nevojën e një dialogu, por duhet të saktësojnë edhe tezat për të cilat do të flitet. Ajo që është e panegociueshme dhe krejtësisht e përfunduar është : Pavarësia e Kosovës. Pikërisht këtë Beogradi nuk e pranon dhe nuk e njeh. Këtu fillon ngërçi. Në se ka një këndvështrim të ri mbi këtë realitet atëherë, në se ai interpretohet nga pozita më të avancuara se më parë, në se do të bisedohet në kuadër të partneritet, është normale që të nxitet një dialog. Kjo as që po duket, përkundrazi shikohet ditët e fundit një agresivitet i politikës serbe për një ekspansion të ri për mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Duhet pranuar se ky ekspansion diplomatik nuk ka qenë pa rezultat, pasi procesi i njohjeve në vitin e dytë ka stagnuar duke e krahasuar me vitin e parë të pavarësisë. Po kështu vazhdon me një platformë të qartë mbështetja për strukturat paralele në Veriun e Kosovës dhe në enklavat e tjera serbe. Edhe refuzimi pothuaj i plotë i minoritetit serb për të marrë pjesë në zgjedhjet e fundit komunale, është një dëshmi tjetër e politikës konstante të tensionit dhe të mosnjohjes së shtetit të ri të Kosovës.

Në këto rrethana gjegjësit të dukshme lind natyrshëm pyetja : Mirë se do të bisedohet, por për çfarë. Ok, sugjerimi ndërkombëtar pranohet, por ama nuk mund të ketë thjesht e vetëm bisedime për çështje teknike, pa u zgjidhur e pranuar përfundimisht ato politike. Çdo lëshim në këtë pikë do të komprometonte jo vetëm gjithë të arriturat e deritanishme, por do të vinte pikëpyetje tepër të mëdha në ardhmërinë e Kosovës.

Ajo që duhet qartësuar dhe kërkon vëmendje është se çfarë nënkupton Kushner, po edhe personazhe të tjerë të politikës dhe të diplomacisë ndërkombëtare kur kërkojnë nisjen e dialogut. Sa ky dialog do të ketë mbi të gjitha karakter politik dhe ai do të verë përballë përfaqësues të shteteve, që kanë sovranitetin për të marrë vendime në përputhje më ligjet dhe Kushtetutat përkatëse. Asnjë dialog që nis me pozita të avancuara të palës serbe nuk mund t’i shërbejë Kosovës. Diplomacia e disa korridoreve evropiane që vazhdon të përkëdhelë Serbinë, para së gjithash duhet të ketë qasje të drejtë ndaj realitetit që nuk mund të ndryshojë: Kosova është shtet dhe e pavarur. Njohja është një proces që mund të zgjasë në kohë, por që nuk ka kthim prapa dhe nuk mund të ndalet. Në se qasja bëhet mbi këtë realitet, atëherë edhe lidershipi politik kosovar arsyeshëm do të jetë i prirur të zhvillojë bisedime bilateral dhe në partneritet të barabartë, por ama jo teknike pa zgjidhur ato politike më parë.

Por pikërisht se në çfarë pistash duhen drejtuar bisedimet dhe mbi çfarë statusi-kjo mungon në artikulimet e diplomacisë. Kjo i mungoi edhe Kushnerit në Kosovë dhe kjo mbase duhet kërkuar të thuhet qartë. Prandaj thelbi i asaj që shefi i diplomacisë franceze përsëriti në Prishtinë lidhur me bisedimet, ishte shumë më esencial se reagimi publik me një gazetar.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0