Federalizmi i Maqedonisë është conditio sine qua non
Milaim FEJZIU
I. Observime të përgjithshme për federalizmin
Ideja e federalizmit apo të federatës paraqitet qysh në Greqinë e vjetër, kuptohet në formën e pa definuar dhe jot ë plotë, dhe është inspiruar nga përpjekjet e shpeshta për bashkimin e qyteteve dhe fshatrave në luftën kundër armiqve të ndryshëm, megjithatë të gjitha këto veprime kanë përfunduar pa sukses. Vet termi federalizëm (federatë) rrjedh nga fjala latine foedus që do të thotë marrëveshje (traktat). Format e federative të para gjatë historisë kanë qenë lidhjet e ndryshme të qyteteve. Federatat në plot kuptimin e fjalës krijohen gjatë periudhës së shkatërrimit të feudalizmit dhe revolucioneve borgjezo-demokratike në Evropën Perëndimore dhe Amerikën Veriore. Si federata të para, apo më saktë forma të federalizmit, veçanërisht përmendet Federata Zvicrane (1813-1848). Për zhvillimin e teorisë së federalizmit meritat më të mëdha i përkasin filozofit francez Monteskijes (1684-1755). Ai është njëri nga ideologët e federalizmit në kuptimin modern të fjalës. Në veprën e tij ,,Shpirti i Ligjeve” , libri IX, ai angazhohet për republikë federative që më vonë do të ndodh në formën e lidhjeve të bashkësive nacionale. Është i rëndësishëm mendim i Monteskies kur thotë se ,, Republika federale duhet të përbëhet vetëm nga republikat”. Me këtë mendim, ai aludon në ligjshmërinë e çdo republike federative e ajo është se duhet të jetë bashkësie homogjene politike. Teoria e Monteskies për federalizmin dhe për ndarjen e pushteteve kanë ndikim të madh ndaj kreatorëve të Kushtetutës amerikane të vitit 1787, siç janë: Medisoni, Hamiltoni dhe Xheji. Federata Amerikane që formohet nga fundi i shekullit XVIII dhe vazhdon edhe në ditët e sotme, me zgjedhjet e reja dhe origjinale të strukturës federale rolin e pushtetit ekzekutiv, pozitën e njësive federale etj. ka pas ndikim të madh ndaj federative tjera në botë dhe konsiderohet si shembull tipik të shtetit federativ. Në shkencat politike ende debatohet për dallimet ndërmjet federatës dhe konfederatës. Përgjigje definitive dhe të plotë për këtë çështje akoma nuk ka. Në çdo sistem federale ka elemente të konfederatës sikurse në çdo konfederatë ka elemente të federalizmit. Megjithatë, duhet theksuar se elementet që e përbëjnë konfederatën, përkatësisht federatën janë të dallueshme. Konfederata nuk është shtet, ajo është një lidhje ndërkombëtare shtetesh sovrane dhe të pavarura. Organet e konfederatës nuk kanë kontakt direkt me qytetarët e konfederatës. Vendimet e organeve të konfederatës janë obliguese kur për ato janë pajtuar anëtarët e konfederatës. Federata është forma më e lartë e federalizmit, ajo është shtet i përbërë, përkatësisht është model shtetëror-juridik me anë të cilit bëhet bashkimi i njësive federale në një shtet me karakter federativ. Karakteristikë e veçantë e federatës është se ajo ka organe të përhershme të pushteteve ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore, të cilët kanë kontakte direkete me qytetarët. Në botë ekzistojnë dhe funksionojnë modele të ndryshme të federative dhe mund të themi se secili model paraqet një risi dhe origjinalitet që do të thotë se , federata nuk duhet të jetë një lidhje e thjeshtë e njësive federale (Republikave) por federata duhet të jetë shtet dhe bashkësi shtetesh në pikëpamje politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe nacionale. Federata është shtet federal e cila përbëhet nga njësi federale, ato kanë emërtime të ndryshme në botë p.sh. shtete, republika, kantone, departamente etj. dhe numri i njësive federale përcaktohet nga gjendja faktike e vendeve. II. Ridefinimi i Maqedonisë dhe shqiptarët Me ridefinimin e Maqedonisë parakuptohet konstituimi i saj si shtet i DY ETNITETEVE i etnitetit shqiptar dhe i etnitetit maqedonas si popuj konstituiv të shtetit i përbërë prej kombit shqiptar dhe kombit maqedonas. Pra duhet konstituuar një Maqedoni binacionale përkatësisht dy kombëshe me karakter federal. Shqiptarët duhet të kërkojnë një Maqedoni të federalizuar duke iniciuar, jo ndryshime kushtetuese, por nxjerrjen e një kushtetute të re ku Maqedonia do të ripërkufizohej si shtet federativ me dy njësi federale dhe me parlament dy dhomash. Duke u nisur nga fakti se Maqedonia një kohë të gjatë kalon nëpër një krizë politike me elemente të theksuara ndëretnike dhe duke konsideruar se gjenerator i kësaj krize, madje edhe për luftën e 2001 ishte pikërisht karakteri unitar i shtetit i cili favorizon një komb, një gjuhë dhe një fe, atë ortodokse, i sanksionuar në kushtetutën 1991 paraqet rrezik i vazhdueshëm për ardhmërinë e Maqedonisë si shtet. Zgjidhje për Shqiptarët në Maqedoniën nuk paraqesin as Marrëveshja e Ohrit me ndryshimet kozmetike në kushtetutë, as koncepti i demokracisë konsesuale, as decentralizimi i pushtetit qendror, as koncepti i shtetëformsisë qytetare, as federalizmi funksional apo jo territorial. Por zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për Shqiptarët do të ishte ridefinimi i karakterit të shtetit nga ai unitar, etnocentrik dhe ortodoks, në atë federal, dhe ripërkufizimi i Maqedonisë si shtet dy kombësh me parlament dy dhomësh dhe me njësi federale apo Republika federale me territore dhe kufijtë administrative në mes tyre. Pse Marrëveshja e Ohrit nuk ishte zgjidhje e duhur? Sepse: Së pari, Marrëveshja e Ohrit ishte dokument që doli nga lufta e 2001 dhe përfshinte më shumë kompromise mes palëve dhe objektivisht ajo nuk mund të ofronte zgjidhje përfundimtare për pozitën juridiko-kushtetuese të shqiptarëve nga pozita e minoritetit në atë të kombit të barabartë me maqedonasit, Së dyti, pozita e negociuesve shqiptar për të paraqitur kërkesa më radikale për ridefinimin e karakterit të shtetit nga ai unitar në atë federal ishte inferiore nga shkaku se ata ishin pjesëtar të pushtetit dhe s’kishin kredibilitetin moral dhe politik për të paraqitur kërkesat që i impononte situata e luftës; Së treti, pengimi me çdo kusht i palës maqedonase për mos pjesëmarrje të përfaqësuesve të UÇK-së por (edhe me aminin e faktorit politik shqiptar) drejtpërdrejtë në negociatat me palën maqedonase zbehu procesin negociator dhe zvogëloj mundësinë e ndryshimeve të mëdha që priteshin, Së katërti, ndërmjetësuesit ndërkombëtar rolin e tyre më shumë e kishin koncentruar në armë pushimet dhe ndërprerjen e luftës sesa në zgjidhjen e pozitës juridiko-kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni dhe kjo marrëveshje u përmbyll me ndryshime kozmetike për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në kuadër të statusit minoritar të tyre, duke lënë të pa prekur karakterin unitar të shtetit i cili mbetet edhe në ditët e sotme gjenerator i krizës ndëretnike në Maqedoni. Pse koncepti i demokracisë konsensuale nuk është zgjidhje? Sepse: Së pari, koncepti i demokracisë konsensuale nuk është projekt politik që ofron zgjidhje për karakterin e shtetit, por është parim demokratik që aplikohet edhe në sistemet unitare edhe në sistemet federale, pra demokracia konsensuale si parim universal përmban mekanizma dhe forma të ndryshme për funksionimin dhe eliminimin e përplasjeve të palëve në një proces demokratik. Së dyti; Konsenzusi apo konsensualiteti në shoqëritë multietnike është mekanizëm që eliminon keqkuptimet dhe mbivotimet në forumet dhe organet e shtetit Së treti; demokracia konsensuale duke qenë një parim universal demokratik nuk mund të jetë opsion politik i një partie politike sepse ai nuk prek karakterin e shtetit qoftë ai unitar apo federal, por mund të siguroj njëzëshmëri në një nga dhomat e parlamentit. Pse decentralizimi i pushtetit qendror nuk paraqet zgjidhje? Sepse: Së pari, shtetet unitare janë shtete të centralizuara dhe karakterizohen me pushtet të centralizuar qendror dhe me pushtet lokal të kontrolluar në mënyrë të rreptë dhe pa mundësi të zhvillimit lokal, Së dyti: Edhe sikur të decentralizohet pushteti qendror dhe të bartë kompetenca pushtetit lokal, nuk ndryshon karakteri i shtetit unitar dhe nuk mund të siguroj barazi të plotë kombëtare ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Së treti: Pushteti lokal shërben për dekor demokratik dhe multietnik të shoqërisë dhe poligon për ushtrimin e pushtetit qendror në grumbullimin e taksave dhe tatimeve të ndryshme. Pse koncepti i barazisë qytetare nuk ofron zgjidhje? Sepse: Maqedonia unitare me koncept demokratik qytetar, nuk është veçse mashtrim politik për shqiptarët. Pohimi se Maqedonia është shtet qytetar, ose bashkësi qytetare multietnike, kulturore, multikonfesionale dhe linguistike, mëton ti mbajë shqiptarët në pozitë të nënshtruar, si qytetarë të rendit të dytë. Sa do që liritë dhe të drejtat individuale si qytetar i konsiderojmë motivim themelor të njeriut si individ, megjithatë liritë dhe të drejtat kolektive të një populli i trajton si faktorin më të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar të një populli. Sepse popujt si kolektivitet (e jo qytetari si individ) janë bartës të një kolektivitetit specifik i cili mundëson që brenda tij të realizohet e drejta e vetëvendosjes si e drejtë fondamentale që u përket vetëm popujve që kanë të formësuar identitetin kombëtar. Këtë status shqiptarët e kanë pasur me kushtetutën e 1974, por pozita reale e tyre juridiko-kushtetuese nuk ndryshoj, ato edhe atëherë nuk mundeshin të realizojnë aspiratat e tyre si popull i barabartë me maqedonasit. Pse federalizmi jo territorial nuk është zgjidhje e duhur? Sepse: Së pari, s’ka shtet federativ në botë që të funksionoj pa territor të caktuar të njësive federale qoftë si Republikë federale qoftë si kantone federale. Kjo tezë apo ky opsion është paraqitur në kohë të fundit, pikërisht kur u vërejt një lëvizje më serioze rreth federalizmit të Maqedonisë. BDK-ja si parti bartëse të këtij projekti dhe zërat se këtij projekti mund ti bashkëngjiten edhe parti tjera siç është PDSH-ja, PPD-ja, BDSH dhe lëvizje e shoqata shqiptare duke krijuar një Aleancë të FEDERALISTËVE në Maqedoni. Së dyti: Vetë termi federalizëm jo territorial apo federatë jo territoriale sa është absurde dhe jo serioze, po aq është edhe anakronike për vetë protagonistët e kësaj teze. Megjithatë, paraqitja e saj nuk është aspak naive dhe pa qëllim të caktuar. Së treti: Procesi i federalizmit të Maqedonisë është i pashmangshëm dhe është shndërruar në kusht pa të cilin nuk do të mund të mbijetoj Maqedonia në të ardhmen. Megjithatë, tezat e këtilla mund për një moment të tërheqin vëmendjen e individëve, siç ishte rasti në emisionin debativ në ALSAT-M para disa ditëve që të mahniten nga këto ide kolosale. Së katërti: S’do mend se qëllimi kryesor i e kësaj alternative është që të krijojnë një huti brenda shqiptarëve qoftë si subjekte politike, qoftë si individë të vetëshpallur analistë për të krijuar opinion publik se gjoja federate pa territor të caktuar është zgjidhje më e kapshme për maqedonasit dhe se do të duhet edhe shqiptarët ta mbështesin këtë koncept. Së pesti: Konsideroj se shqiptarët në Maqedoni nuk do të bëhen pre e tezave të ndryshme manipuluese, dhe se janë ngopur me alternative dhe opsione boshe për zgjidhjen e statusit të tyre juridiko-kushtetues si komb i barabartë dhe shtetbërës në Maqedoni, po ashtu sot janë të vetëdijshëm për momentin historik dhe për proceset që zhvillohen në rajon dhe në Maqedoni, prandaj jam thellë i bindur se me sukses do të kurorëzojmë kërkesën dhe synimin e tyre për një Maqedoni të federalizuar dhe të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Pse federalizmi i Maqedonisë është zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme? Sepse: Së pari, Maqedonia federale do të ishte test i mirë për demokracinë në Maqedoni dhe dëshmi e demokratizimit të sajë, dhe do ta dallonte nga Maqedonia unitariste dhe moniste, jodemokratike dhe një partiake e kohës së vetëqeverisjes socialiste. Maqedonia federale duhet të jetë interes, sa i shqiptarëve po aq edhe i maqedonasve, sepse është në funksion të stabilitetit të saj dhe të rajonit si dhe të zhvillimit të proceseve demokratike dhe integruese; Së dyti, Federalizmi i Maqedonisë i lehtëson zhvillimet demokratike, tendencat dhe klimën demokratike në rajon, integrimet demokratike në rajon po ashtu, ky transformim i Maqedonisë nga shteti unitar në atë federal, është në përputhje me tendencën historike për respektimin e parimeve demokratike dhe vlerave të qytetërimit perëndimor, me çka Maqedonia do të konsolidohej, forcohej dhe stabilizohej përbrenda dhe si e tillë do t’i çeleshin dyert drejt Bashkimit Evropian, përkatësisht të NATOS. Së treti, Federalizmi i Maqedonisë do të justifikonte kriteret bazë për status të barabartë kombëtar të shqiptarëve dhe maqedonasve duke i afirmuar: 1. Kriterin e prezencës historike të shqiptarëve në këto hapësira, ose i njohur si kriter i autoktonisë së tyre, këtë e dëshmon bindshëm shkenca historike 2. Kriterin e Shtrirjes Gjeografike. Masa demografike shqiptare shtrihet në afër 10.000 km2 territor kompakt, kundruall 25.713 km2 të tërë hapësirës së Maqedonisë. 3. Kriterin demografik, që do të thotë strukturën nacionale të popullsisë së Maqedonisë, ku shqiptarët bëjnë pjesë me mbi 35 % e jo 25 % siç i paraqet Statistika Zyrtare. 4. Kriteri i popullit të ndarë me forcë fenomen ky i njohur botërisht në Evropë. Së katërti, Federata shqiptaro-maqedonase do t’i përshpejtonte proceset demokratike, dukshëm do të relaksonte marrëdhëniet ndëretnike, do t’i hapte perspektivë zhvillimit ekonomik, politik, social, kulturor etj, do të nxite transformimin demokratik të sajë dhe do të mundësonte integrim më të shpejtë në familjen e botës së qytetëruar si dhe do të pamundësonte hapjen e dilemave rreth ekzistimit dhe perspektivës të saj në Ballkan. Duke qenë se federata Shqiptaro-Maqedonase është një dimension i rëndësishëm i çështjes kombëtare shqiptare, federalizimi i Maqedonisë ka rëndësi gjithëkombëtare. Së pesti, Maqedonia federale (shqiptaro-maqedonase), krahas Kosovës së pavarur dhe demokratike dhe Shqipërisë së konsoliduar, është Conditio Sine Qua Non për faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan dhe për krijimin e një ekuilibri politik të ri në rajon. Duke qenë se shqiptarët janë përçues të natyrshëm të rajonit Euroatlantik, federalizimi i Maqedonisë do të jetë interes edhe i fuqive të mëdha perëndimore d.m.th. të SHBA-së dhe UE, sepse federata Shqiptaro-Maqedonase do të jetë digë e parë e Evropës latine dhe germanike nga mësymjet Sllavo-Ortodokse, bizantine, rusomadhe. Prandaj, federata Shqiptaro-Maqedonase, është e vetëkuptueshme se do të mbështetet nga SHBA-të dhe UE-ja. Është e natyrshme që faktorët e sipërthënë të ndërhyjnë në krijimin e federatës Shqiptaro-Maqedonase demokratike dhe euroatlantike. Maqedonia de fakto është e federalizuar, por pa territorijalizim i njësive federale, është detyrë emergjente e faktorit politik shqiptar që të unifikoj veprimin politik dhe të shtrojë kërkesën për krijimin e Federatës Shqiptaro-Maqedonase si zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për statusin e barabartë të kombit shqiptar dhe atë maqedonas. Në përfundim të këtij shkrimi do të doja të them se nuk mund të rija i qetë kundër disa tendencave të devijimit të politikës shqiptare në ambientin shqiptar për të cilat qëllimisht nuk fola në mënyrë të përgjithësuar për luftën tonë politike, për pozitën juridiko-kushtetuese më të avancuar, për unitet kombëtar dhe për transformime demokratike të shoqërisë. Sado që projekti i federalizimit të Maqedonisë mund të përjetohet në mënyrë traumatike nga pala maqedonase, sado që mund të nxis emocione edhe tek pala shqiptare për revanshizëm politik brenda subjekteve politike shqiptare. Megjithatë, do të doja të ngre fuqimisht zërin kundër politikës së denigrimit dhe të astrocizmit të intelektualëve të mirëfilltë duke i larguar me qëllime të caktuara siç është projekti i federalizimit të Maqedonisë. Në thelbin e çdo shoqërie demokratike zhvillohet debat dhe dialog, kërkohet debat intelektualësh jo burg, dialog e jo polarizim. (autori është ligjërues në Akademinë Diplomatike Shqiptare dhe Sekretar për marrëdhënie me jashtë në BDK)
- Pjetro Bogdano Macedono (72)
- O të mjerë dilni nga ai koalicioni qeveritar që burgos e vret shqiptar! (59)
- Pse tani Rufi Osmani? (56)
- Dashuria e ndaluar e Agron Buxhakut dhe shkupjanes Meri (53)
- Si ta mbrosh “Abazin” nga Ali Ahmeti (47)
- Partia e shtatë… ! (47)
- Politikanet shqiptar te terur nga pushteti maqedonas (46)
- Shujni-shujni se po fle zv.kryeministri! (45)
- Partia e spiunëve apo spiunët e partisë (44)
- Harun Aliu, viktima e katërt në incident (41)


Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Ke te drejt z.Fejziu dhe ky konstatim i juaj ne kohet e fundit nuk eshte risi por imperativ e qe ju ne menyre akademike vetem e keni zberthyer per tu bindur gjeneratat e reja te cileve federaalizimi ne korniza europiane te ketij shtet unitar do tu garanton perspektiv te sigurte.
Publikoni komentin tuaj