Hyrje | Opinion | Përpara me liri e demokraci

Përpara me liri e demokraci

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Ejup BERISHA

Në këtë jetë njerëzit e ndërgjegjshëm mundohen dhe angazhohen për progres, përparim për mbarësi apo marrë në përgjithësi për krijimin e një bote më të mirë më përparuese dhe më të mbarë, dhe për ta arritur një gjendje të tillë ata punojnë pa ndërprerë. Por në realitet këtyre njerëzve llogaritë apo hesapet ua prishin një kategori tjetër njerëzish të cilët pandërprerë edhe ata janë të angazhuar me punë, por të cilët për dallim prej njerëzve të kategorisë së parë të cilët angazhohen për të krijuar gjësende të mira, këta të dytët janë të gatshëm dhe të prirur për të prishur dhe shkatërruar gjithçka të mirë që ka krijuar njerëzimi por edhe perëndia. Në jetën e përditshme zhvillohet luftë e pandërprerë mes këtyre dy kategorive njerëzish të cilët në çdo çast janë në një arenë garimi duke zhvilluar luftë për dominim. Thuhet se në këtë botë më lehtë është të prishësh sesa të ndreqësh diçka prandaj kundërshtarët e njerëzve të mbarë kanë zgjedhur aktivitetin më të lehtë të jetës së tyre prishjen e gjithçkaje që njerëzimi me plot mund dhe sakrificë është munduar ta krijoj dhe ndërtoj ndër shekuj. Botës së civilizuar i është dashur një kohë shumë e gjatë edhe disa shekuj të tërë për të krijuar një rend dhe një shoqëri më të mirë më të pranueshme për ta dhe pasardhësit e tyre, ndërsa kemi pasur shembuj kur për më pak se 24 orë me disa veprime të pamatura janë shkatërruar sisteme të tëra me vlerë të konsiderueshme.
Kështu sot kur ne flasim për progres dhe mbarësi gjithnjë si shembuj i marrim disa vende që i takojnë sferës së civilizimit perëndimor-evropian si p.sh disa shtete e Bashkimit Evropian, SHBA-të si dhe në disa raste edhe disa shtete skandinave. Gadishulli në të cilin jetojmë ne Ballkani nuk përmendet në mesin e tyre edhe pse gjeografikisht i takon Evropës,ndërsa i njëjti asnjëherë nuk harrohet pa u përmendur por fatkeqësisht jo për të mirë por për keq. Ku qëndron faji për këtë gjë?  Fajtor jemi të gjithë ne  të cilët si adresë banimi i kemi trojet e Ballkanit. Shembja e murit të Berlinit në vitin 1989 të shekullit të kaluar i pati shtuar shpresat për një të ardhme më të mirë por kjo ngjarje fatkeqësisht nuk i solli ndryshimet e paramenduara. Pse ndodh kjo sepse e njëjta nuk është dashur të paramendohej vetëm si një akt i thjeshtë i rrënimit të një objekti artificial e famëkeq që padrejtësisht ndau një popull në dysh “gjermanët” apo edhe një rajon të tërë nga tërësia e kësaj bote Evropën Lindore. Por ajo do të duhej të shënonte një kthim apo lëvizje të  madhe të historisë përpara apo të ishte një lindje e një shpresë të re se gjërat do të marrin atë mbarësinë natyrore të penguar nga sistemi i atëhershëm më regresiv që e njeh historia e njerëzimit. Çka ndryshoi prej atëherë deri sot përgjigja fatkeqësisht është negative pasi që jo shumë gjëra kryesore ndryshuan në aspekt pozitiv. Sot fatmirësisht ne kemi të drejtë vetëm të flasim më lirshëm për gjërat që ndodhin e që na rrethojnë,për fenomene për gjendje të ndryshme gjë që vetëm para dy dekadave ishte e pamundur të mendoje e lere më të flisje për to, por parashtrohet pyetja a e dëgjon kush këtë debat?. Pra kemi fituar lirinë të debatojmë por athua ky debat po e arrin qëllimin e vet, shkurt e shqip pra debatet zhvillohen me qëllim që në fund të merremi vesh që të ndryshohen gjërat negative të eliminohen dobësitë të bëhen ndryshime dhe të dalim nga realiteti ekzistues. Prandaj lirisht mund të themi se debati këtu në Ballkan i ngjanë asaj bisede që zhvillohet mes shurdh memecëve (Këtu nuk kam për qëllim ti ofendoj këto kategori njerëzish prandaj i lus që të më falin të gjithë ata të cilët në këtë jetë pa fajin e tyre e kanë një fat të tillë ).Por çka desha të them ajo që është më tragjike këtu më së shumti nuk dëgjojnë ata të cilët perëndia i ka falur pa asnjë pengesë natyrore. Prandaj ne kemi një realitet shumë qesharak ku të gjithë flasin por askush nuk dëgjon. Duke e shkruar këtë tekst për një çast mu kujtua Tomas Hobs pasi që gjendja e tanishme në Ballkan ka filluar ti ngjajë asaj para krijimit të shtetit që vet ai në kohën e tij e ka quajtur gjendje natyrore. Dhe ma marr mendja që sikur të kishim pasur mundësi të flisnim me të ai do të thoshte ju e keni kthyer mbrapa atë gjendje të cilin e karakterizojnë injoranca, idiotizmi, shpirtligësia,brutaliteti dhe vrazhdësia e skajshme. Apo do të na përkujtonte se ne për njëri tjetrin jemi shndërruar në ujq (në homo homini lupus, që në përkthim do të thotë njeriu për njeriun është ujk).Hobsi do të vazhdonte më tutje duke theksuar se ju keni ardhur në atë gjendje ku mbisundojnë instiktet egoiste,të cilat njerëzit i fusin në luftë të të gjithëve kundër të gjithëve: (bellum omnium contra omnes).Hobs atëher shpëtimin nga kjo gjendje e ka parë në shtetin absolut apo Leviatanin e tij të njohur. Ndërsa ne shpëtimin nga gjendja aktuale që dominon në Ballkan duhet ta shohim te liberalizimi dhe demokratizimi i mëtutjeshëm i shoqërive dhe shteteve ballkanike. Pra pse mos ti japim një shans të mirë lirisë dhe demokracisë të cilat janë dy shtyllat kryesore që shoqërinë njerëzore e lëvizin para në drejtim të dëshiruar dhe përkujdesen për vitalitetin e saj.              

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0