Guximi për të ndryshuar
Gëzim PODGORICA
Tema e ristrukturimeve në qeveri, pas disa dorëheqjeve të imponuara me sa duket ka ridalë përsëri në skenë. Pas dy vitesh koalicioni me shumë probleme, me ballafaqime jo fort të lehta, ndryshimi i kabinetit qeveritar sigurisht është krejt normal. Problemi nuk qëndron shumë tek ky lloj normaliteti, se sa tek funksionaliteti dhe efektiviteti i këtij ndryshimi të pritshëm e të domosdoshëm.
Një varg ministrash si nga radhët e VMRO-DPMNE-se po edhe të BDI –së janë si në shënjestrën e shtypit, ashtu edhe të publikut, duke i tejkaluar prej kohësh ditët e qëndrimit në postet e tyre. Problemi është se a do guxohet tek ndryshimi i mjaft emrave, që kanë komprometuar si qeverisjen, ashtu edhe profilet politike të partive përkatëse ? Kjo përbën atë që është jo vetëm racionalja e sjelljes së pritshme politike, por edhe përcaktimi i shpresës se ndryshimi i disa emrave të lodhur do të sjellë edhe ndryshim kursi e profili .
Partia shqiptare ne pushtet paralel me ndryshimin e domosdoshëm të disa emrave , ka të nevojshëm edhe përcaktimin e rregullave më precize të lojës për vitet e mbetura në bashkëqeverisje. Kjo e dyta është edhe më e rëndësishme, edhe më përcaktuese dhe që i zgjidh problemet e mbetura pezull të shqiptarëve, që kalojnë e ngushëllohen vetëm me premtime pa fund. Por për artikulimin e tyre, në kushtet e krijuara duhen edhe aktorë të rinj, të pakomprometuar, larg prapaskenave e humoreve bajate, me vizion dhe të gatshëm për të vlerësuar më shumë se postin, barrën që marrin përsipër. Gjasat siç duket deri tani janë të vogla që kjo të ndodhë. Prej kohësh mjediset ku kalkulohen shpesh herë politikat e kuadrit, kanë filluar të vizitohen nga personazhet amfibë të përhershëm , që ngjanë me “strategët politikë” të pazëvendësueshëm. Disa emra të lodhur të politikës, bajatë edhe për publikun, më mëkate jo të vogla e të identifikuara menjëherë po bien në sy me shpalosjen e “heroizmave” dhe të “dijenive” të tyre të pafund, pa të cilët qeveria sipas tyre merr fund. Këtu qëndron guximi që duhet të shprehë lidershipi aktual politik i BDI-së. Forcën për t’u ndarë njëherë e mirë nga këto tipa që u rëndojnë mbi duar çantat me projekte të mëdha, por që në fakt vetëm kanë sjellë pështjellim dhe kanë dëmtuar kohezionin e këtij formacioni politik. Nuk është tani momenti i gjetur për të riaktivizuar akuza, por është momenti për të identifikuar personazhet që sigurojnë rritjen e imazhit dhe që nuk janë peng i së kaluarës, nuk janë peng i disa qarqeve të caktuara, ku sa herë që tentojnë për të kaluar gardhin, ju tunden para syve shumë e shumë mëkate që nuk mund t’i pastrojnë më. Gati një dekadë më parë ka përfunduar lufta e UCK-së dhe është nënshkruar Marrëveshja e Ohrit. Ndonjë nga ministrat e sotëm të BDI-së që hiqet si strategu i prapavijës së luftës dhe ideologu i implementimit të Marrëveshjes ka dëshmuar dështim të dukshëm. A thua edhe pas gati një dekade do të ketë guximin që të thirret përsëri në këtë hipotekë të së kaluarës. Që edhe ashtu është e dyshimtë, apo do të ketë guximin për t’u tërhequr e kërkuar ndonjë vend ambasadori !!!
Momenti është që kjo punë nuk ka pse të lihet në vullnetin e këtyre tipave, por duhet t’u thuhet me plot guxim se : Koha mbaroi, tani po hapet një periudhë tjetër ! Nuk kanë më personazhe të sklerotizuar politikë po edhe administrativë fuqinë dhe motivet, po edhe kredencialet morale për t’u ballafaquar me sfidat e reja.
Qengjat e butë shqiptarë të qeverisë Gruevski jo vetëm që nuk kanë zgjidhur asgjë, por përkundrazi i kanë thelluar problemet. Ndaj në këtë moment kur është imperativ ndryshimi i përmbajtjes qeverisëse nga ana e shqiptarëve, shfaqet po kaq urgjente edhe ndryshimi i shumë emrave, që jo vetëm kanë ulur ndjeshëm profilin politik të partisë, por edhe kanë vënë në pikëpyetje serioze të ardhmen e saj.
Momenti i riformatimit qeverisës është një shans që kërkon guximin e nevojshëm për t’u administruar pozitivisht e për të treguar se ky subjekt ka ende energji e forcë për të korrigjuar veten e për t’u ndarë nga personazhe që e kanë komprometuar rëndë atë.
-
Maska e Vevçanit ku fyhen myslimanët (video) (lexuar sot:273)
-
A do të vazhdojnë thirrjet antishqiptare ndaj Lirisë në ndeshjen kundër Torusit? (lexuar sot:247)
-
Familja Aziri ende në labirintet gjyqësore (lexuar sot:189)
-
Kryesojnë VMRO -DPMNE dhe BDI (lexuar sot:178)
-
Avionët, shumë pranë përplasjes në ajër (lexuar sot:175)
-
“Shkupi” mbërrini në Shkodër (lexuar sot:170)
-
Edhe aeroportet bllokohen nga dëbora (lexuar sot:82)
- Pjetro Bogdano Macedono (71)
- O të mjerë dilni nga ai koalicioni qeveritar që burgos e vret shqiptar! (57)
- Pse tani Rufi Osmani? (53)
- Dashuria e ndaluar e Agron Buxhakut dhe shkupjanes Meri (53)
- Si ta mbrosh “Abazin” nga Ali Ahmeti (47)
- Partia e shtatë… ! (47)
- Politikanet shqiptar te terur nga pushteti maqedonas (46)
- Shujni-shujni se po fle zv.kryeministri! (45)
- Partia e spiunëve apo spiunët e partisë (44)
- Harun Aliu, viktima e katërt në incident (41)


Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj